Meta krah Kryemadhit në vendosjen e bustit të Skënderbeut në Budapest

Ditën e sotme, në Budapest, është vënë busti i heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe presidenti Ilir Meta, i shoqëruar nga Monika Kryemadhi.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se, rrënjët e miqësisë midis dy popujve gjenden në lidhjet legjendare të Kastriotit dhe të Huniadit.

“Rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi, të dy mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit, por edhe të identitetit tonë europian.

Ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës. Jam i bindur se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer tradicional historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa u ndalur në të ardhmen”, shkruan Meta./albeu.com


Shtuar 5.07.2021 13:03