Mes tyre dhe Shqipëria, Blinken: Këta janë vendet që do të strehojnë përkohësisht afganë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se 13 vende kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë të evakuuar dhe se të paktën 12 vende kanë pranuar të veprojnë si rrugë tranziti për të evakuuarit, ndër ta amerikanë dhe të tjerë.

Zoti Blinken tha në një deklaratë të premten se afganët që mund të përfitojnë nga statusi i refugjatët nuk kanë kaluar ende procesin e kontrollit për t’u vendosur në SHBA dhe do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kanada, Kolumbi, Kosta Rika, Kili, Meksikë, Poloni, Katar, Ruandë, Ukrainë dhe Ugandë.

Ndër vendet tranzit përfshihet Bahreini, Danimarka, Gjermania, Italia, Kazakistani, Kuvajti, Katari, Taxhikistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania dhe Uzbekistani.

Zoti Blinken tha: “Na ka dhënë zemër fakti që vende të tjera kanë shikuar mundësinë për të ofruar ndihmë. Nuk kemi përparësi më të lartë se sigurinë e shtetasve amerikanë jashtë vendit dhe përmbushjen e premtimit ndaj partnerëve tanë afganë në rrezik.

Lajmi vjen ndërsa baza e SHBA-së në Katar i ka arritur kapacitetet e saj pritëse.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen dëshpërimisht të evakuojnë me mijëra njerëz nga Afganistani, ndërsa janë shtuar njoftimet për hakmarrje nga ana e talibanëve kundër afganëve që punuan me forcat e udhëhequra nga SHBA. Kjo ka detyruar fuqitë e huaja të përshpejtojnë përpjekjet për evakuim.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara i marrin me shumë seriozitet njoftimet për friksim ose rrahje të amerikanëve në Kabul, duke shtuar se talebanët i kanë dhënë garanci Uashingtonit se do t’i lejojnë afganët që dëshirojnë të largohen nga vendi ta bëjnë këtë edhe pas 31 gushtit.

Ndërkohë zyrtarët amerikanë bënë të ditur se për disa orë të premten nuk u kryen fluturime nga Kabuli në Katar, për shkak të tejmbushjes së bazës ajrore Al Udeid, ku ndodhet Komanda Qendrore Amerikane, e cila tashmë strehon 8,000 të evakuuar afganë.

Sipas NATO-s më shumë se 18,000 vetë janë evakuuar që kur militantët talebanë morën kryeqytetin e vendit, Kabulin.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha në një deklaratë se Berlini kishte rënë dakord me Uashingtonin për të strehuar përkohësisht njerëz në bazën ajrore Ramshtajn.

Uashingtoni po përshpejton përpjekjet për të nxjerrë njerëzit përpara afatit të 31 gushtit që supozohej të ishte edhe afati i fundit për largimin nga Afganistani të forcave amerikane. Presidenti Joe Biden tha në fillim të kësaj jave se trupat amerikane që po garantojnë evakuimet mund të qëndrojnë më gjatë nëse do të jetë e nevojshme.

Një nga pengesat kryesore për njerëzit që duan të largohen nga Afganistani është udhëtimi i rrezikshëm për në aeroportin e Kabulit. Shtetet e Bashkuara deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë kalim të sigurt për qytetarët amerikanë ose të tjerë, por kanë thënë se kanë marrë garanci nga talebanët, se ata nuk do t’i bllokojnë njerëzit që duan të shkojnë në aeroport.

Por njoftimet nga terreni sugjerojnë të kundërtën. Mijëra afganë që mbanin në dorë fëmijë e dokumente, vazhdojnë të mbushin aeroportin ndërsa luftëtarët talebanë me armë zjarri po urdhërojnë ata që nuk kanë dokumente udhëtimi të kthehen në shtëpi. Në aeroport dhe përreth tij, 12 persona janë vrarë që nga dita e dielë sipas zyrtarëve të NATO -s dhe grupit taleban.

Persona në dijeni të situatës në bazën e Al Udeid-it në Katar njoftuan përkeqësim të kushteve. Një burim tha se zyrtarët amerikanë ishin gjithnjë e më të shqetësuar për problemet logjistike atje sepse “ata aktualisht nuk kanë ushqim të mjaftueshëm” për të pritur flukse të reja njerëzish./VOA


Shtuar 21.08.2021 08:28