Merr fund pritja disavjeçare, hapet nesër për qarkullim rruga Qukës–Qafë Plloçë

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, një arterie me rëndësi jetike për Juglindjen e vendit, që pritet të çlirojë flukset e qarkullimit dhe potencialin turistik të disa zonave, do të jetë i aksesueshëm për qytetarët nga e premtja e 5 shtatorit.

Lajmin për përfundimin e punimeve dhe nisjen normal të qarkullimit në këtë aks e ka dhënë Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Teksa foli për një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në vendin tonë në aktivitetin “Shqipëria Turistike 2030”, Balluku deklaroi se, “jemi duke përfunduar edhe projektet që kanë qëndruar gjatë në duart e ndërtuesve, si ai i Qukës – Qafë-Plloçë, por që nesër bëhet i aksesueshëm për automjetet”.

Një ndër kantieret e reja që do të hapet në vend sipas Ballukut është ai për Bypass-in e Elbasanit, që do të çlirojë nga trafiku nyjen e Bradasheshit, në autostradën Tiranë-Elbasan.

“Gjithashtu një Bypass 3 kilometërsh nga Bradasheshi në Lekaj do të lehtësojë trafikun në aksin Tiranë–Elbasan vitin e ardhshëm. Për rrugën Milot–Balldren, më 3 tetor do të shpallet fituesi i kontratës koncesionare”, u shpreh Balluku.

Ajo tha se, Shqipëria sot gumëzhin si një kantier ndërtimi dhe shumë prej projekteve po përfundojnë para afatit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit.

Balluku foli edhe për zhvillimet në sektorin e aviacionit, duke e cilësuar atë “një tjetër shtyllë të rëndësishme të turizmit”.

“Më 25 maj 2023, gjatë një ndeshjeje futbolli ndërkombëtare, Aeroporti i Rinasit menaxhoi me sukses 23 mijë pasagjerë në një ditë. Ndërkohë, më 11 gusht 2025, Rinasi regjistroi një rekord të ri, me 50 mijë vizitorë të ulur në një ditë”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Balluku e cilësoi turizmin si një nga sektorët me potencialin më të madh për ekonominë shqiptare, ndërsa theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional, zhvillimi i qëndrueshëm dhe përfshirja e komuniteteve lokale do të jenë shtyllat e strategjisë “Shqipëria Turistike 2030”.


Shtuar 4.09.2025 17:23