Merr fund aventura e Donnarummas te Milani, e njofton Maldini

Pritet vetëm zyrtarizimi i lamtumirës së Donnarummës nga Milani por Paolo Maldini ka bërë të qartë që portieri italian do të largohet nga kuqezinjtë gjatë verës.

Klubi prej kohësh kërkonte të rinovonte kontratën me portierin, duke arritur deri te shifra 8 milionë euro në sezon.

Megjithatë menaxheri i tij, Mino Raiola, mendon se lojtari që ai menaxhon mund të përfitojë më shumë në skuadra të tjera, e sigurisht edhe të sigurojë më shumë trofe se sa te kuqezinjtë për të cilët arritja e madhe e viteve të fundit ishte kthimi në Ligën e Kampioneve.

Ndaj divorci është bërë i pashmangshëm dhe këtë e konfirmoi sot Maldini në një intervistë kur u pyet rreth portierit.

“Mendoj se duhen falënderuar të gjithë lojtarët që kanë bërë këtë sezon të pabesueshëm. Xhixho ka qenë lider dhe shpesh kapiten. Njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë do të thotë të jesh profesionist, që duhet të jesh gati të ndryshosh fanellën. Është e vështirë ta pranosh, është gjithmonë më e vështirë të gjesh karrierë.

Duhet të ketë respekt për kë ka dhënë shumë te Milani, nuk ka treguar kurrë mungesë respekti. Rrugët tona ndahen, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse t’i uroj më të mirën”, ishin fjalët e Maldinit që solli kështu divorcin me portierin.


Shtuar 26.05.2021 23:06