Sot në orën 14:00 pritet të jepet pretenca për ish-ministrin Fatmir Mediu.
Gjyqi ka dështuar dy seanca me radhë për shkak të avokatëve mbrojtës të Mediut, të cilët nuk janë paraqitur.
Sakaq, nuk dihet nëse në seancën e sotme avokatët do të bëhen shkak për dështimin e procesit.
Dy avokatët e ish-ministrit, Henrik Ligori paraqiti një raport mjekësor, ndërsa avokati tjetër Ardian Visha kishte paraqitur një fletëthirrje gjyqi që kishte në një proces tjetër në Durrës.
Gjykata më herët ka urdhëruar në mungesë të avokatëve që ish ministri të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti.
Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim.
Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë. Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”/Albeu.com/