Tronditëse është dëshmia e nënës 30-vjeçare, e cila disa ditë më parë lindi dhe braktisi foshnjën e saj në bodrumin e një pallati në Yzberisht.
Foshnja ndërroi jetë në spital një ditë më vonë, ndërsa nëna e cila fillimish u vu në pranga, më pas u la e lirë.
Ditën e sotme në emisionin “Me zemër të hapur” ka rrëfyer se me babanë e foshnjës ishte njohur në rrjetet sociale dhe e kishte takuar vetëm një herë.
Pjesë nga biseda
-Në kohën që jeni njohur ai ishte vetëm?
“Po! Fillimisht marrëdhënia në fillim ishte serioze. Kohët e fundit jo! Keqkuptime. Gjëra pa vlerë. Llogari shumë, kërcënime.”
-Fillimisht nisi si një lidhje serioze?
“Po!”
-E donit për bashkëshort?
“Ndoshta! Nuk i dihet asnjëherë jetës. Kur i thashë që isha shtatzënë nuk mbajti përgjegjësi.”
-A ishte në dijeni familja?
“Jo! Mami kohët e fundit e mori vesh. Kisha frikë se çfarë do të ndodhte.”
-Si i realizonit takimet tuaja?
“Një herë e kam takuar atë person. Atje në Korçë. Kam qenë te dajat dhe në atë rrugë vajta e takova edhe atë. Kam folur në telefon pastaj. Në fillim u duk djalë i mirë, pastaj ndryshoi më mbrapa.”
-Kur ishit shtatzënë nuk e kishte vënë re askush?
“Jo! Kur erdhën dhimbjet shkova për të marrë taksi. Nuk kisha ndjerë asnjë shqetësim. Taksinë e mora për të shkuar në spital. Normal që do të zbulohej më mbrapa. Nuk ke nga e fsheh. Më kapën lindjet aty dhe aty e linda fëmijën. Isha vetëm. E linda në orët e para të mëngjesit. Thjesht e kam lindur, e kam vendosur në divan dhe jam larguar.”