“Më mungon vetëm Zonja e parë”, Genard Hajdini ka një plan presidencial: Kam përvojë drejtuese në SHBA

Personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Genard Hajdini i bëri thirrje kryemistrit Rama që të bëhej president i vendit. Përmes një videoje që publikoi në rrjete sociale, Genardi premtonte se do të luftonte si Mujo Ulqinaku dhe se do t’i bënte ballë agresionit rus ashtu si Zelensky.

I ftuar në”Abc-ja e mëngjesit”, Genardi tha se ka pasur përvoja drejtuese gjatë kohës që ishte në Amerikë.

“Në fakt që kur isha në Amerikë kam qenë disa pozita drejtuese. Kam qenë dhe këshilltar dhe kam marrë dhe çmime. Kam bërë dhe stazhin në George Uashington, kam bërë dhe stazhin në Bankën Botërore.”, tha ai.

Por çfarë do të bënte ai si një president?

“Kisha dëshirë që në Shqipëri të hapej një fondacion nën mbikëqyrje kombëtare që të fuziqonte që të fuqizonte arsimin e lartë. Fondacioni do të krijonte një network, Gjergj Kastriti Network, që të fuqizonte bursa për studentët dhe të bëhej një Gala Party.

Do të bëja një Gala Party në sheshin Skënderbej, me një koncert me Andrea Bocelli dhe Celine Dion. Këta të dy dhe një grup One Republic. E kam pasur student në katin tim kur isha adviser, kur erdhi në një koncert në Tiranë, kemi ngrënë mëngjes te Rogneri.

Kjo do të krijonte mundësinë për donacione dhe të viheshin si bursa për studente, bursa presidenciale 100 përqind, bursë dekanati dhe bursa të tjera. Mendova që ky fondacion të ftonte dhe mbretin e Arabisë Saudite, princin e Spanjës, perandorin e Japonisë, familjen mbretërore të Anglisë.

Do të merrja kalendarin e Institutit të Shëndetit Publik dhe do të shikoja disa data për jetimët, një gala party për jetimët në sheshin Nënë Tereza. Do të shikoja ata që kanë Sindromën Down. Do të bëja disa gjëra që të ngrija fonde.“, tha ai.

Genardi thotë se i mungon vetëm Zonja e parë. Ai thotë gjithashtu se do të merrte Sonidën si shefe të burimeve njerëzore sepse “ka mbaruar një master në lidership për burimet njerëzore. Prandaj mendova se do të ishte përshtatur për atë fushë”.