Me kallashnikov pa leje kryenin qitje gjatë natës dhe postonin videot në TikTok, 6 të arrestuar në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar 6 persona pasi akuzohen se me një kallashnikov pa leje, kryenin gjatë natës qitje dhe postonin videot në TikTok.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasit me inicialet Nj. S., 56 vjeç dhe M. S., 19 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Rrushkull, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe shtetasit me inicialet K. P., 19 vjeç, K. J., 20 vjeç, A. T., 18 vjeç, A. H., 19 vjeç dhe E. T., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, në vijim të operacionit, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. 7 të rinjtë e arrestuar/proceduar u kapën në flagrancë pas sigurimit të informacionit, se ata po përgatiteshin për të qëlluar në kodrën e fshatit Hamallaj, me armë zjarri që i posedonin pa leje, me qëllim postimin e videove në rrjetin social “TikTok”.

Gjatë operacionit u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën të rinjtë kryenin qitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasve Nj. S. dhe M. S., ku u kap 56-vjeçari, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Së bashku me armët, u sekuestruan 2 automjetet me të cilat lëviznin këta shtetas, si dhe 8 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 25.03.2024 12:18