“Më i dhimbshëm se divorci ishte reagimi i shoqërisë”, Ema Andrea tregon dy momentet më të vështira në jetë

Ema Andrea, artistja shumë e talentuar e cila është shumë e dashur për publikun ndau në emisionin “Rudina”, në Tv Klan në rubrikën 2+3, dy nga historitë më të dhimbshme të jetës së saj. Ajo tregoi se një nga momentet më të hidhura të jetës, ishte kur nëna e saj u largua nga kjo botë duke u shprehur se e kupton atë plotësisht tani që nuk është më.

Një tjetër ngjarje e rëndë në jetën e Ema Andreas ka qenë divorci, por ajo shprehet se “divorci ka qenë i dhimbshëm ama më i dhimbshëm se ai ka qenë reagimi i shoqërisë“, e cila në atë kohë ja ka bërë këtë moment të vështirë të jetës së saj akoma më të rëndë.

Ema Andrea: 99% e publikut pret të them divorci, por po divorci ka qenë i dhimbshëm, por më i dhimbshëm se divorci ka qenë reagimi i shoqërisë. Ka qenë një reagim shumë dramatik që më ka shënjuar fort. Më ka shënjuar, më ka frustruar, më është dashur punë e madhe për të dashur shoqërinë, apo për ta kuptuar. Më është dashur mua të jem empatike ndaj të gjithë atyre që më sulmuan. Kjo ka qenë më e rëndë se sa vetë divorci, që është i rëndë, se njeriu lyen shtëpinë, bën gjëra normale që i ndryshon rutinën dhe mërzitesh, e jo më të shkëpusësh një marrëdhënie, e cila nuk është më një marrëdhënie personale, por janë të përfshirë edhe njerëz të tjerë. Shoqëria jonë nuk ta fal këtë gjë. Të vë epitete të cilat të ndjekin nga pas çdo gjurmë, çdo gjë që ti bën, për më tepër që puna ime është publike. E ndjek nga pas një opinion që krijohet me shumë lehtësi. Tanimë akoma më me lehtësi, përmes portaleve, që jo të gjithë janë dinjitoz, një pjesë e tyre janë të tillë që meritojnë atë fjalorin që nuk thuhet në televizion dhe unë po e kursej, por që e kam potencialisht atë fjalor. Vazhdojnë të joshin dhe të orientojnë atë që unë e quaj publik, drejt asaj që nuk më përfaqëson. Janë disa zgjedhje të tua, që të takojnë vetëm ty, të cilat shoqëria jonë di t’i manipulojë për të lënduar.

Më tej Ema Andrea ka shtuar se lidhja e saj nuk përfundoi për arsye dhune apo tradhtia, pavarësisht se në atë kohë këto gjëra janë përfolur. Ajo thotë gjithashtu se me babain e Sarës kanë mbetur shokë, por kjo gjë duket si e papranueshme në shoqërinë shqiptare. Aktorja tregon se gjërat për të ndryshuan aq shumë menjëherë sa ndryshimet i vinte re edhe në përshëndetjet e njerëzve.

“Ndryshoi dhe përshëndetja, e di?! Ky nuk është frustrim, është observim në një hapësirë shumë të madhe të njohurish. Nuk isha më aktorja e talentuar, nuk isha më artistja e lexuar, isha vetëm një grua fajtore që nuk po kërkonte falje. Nuk po rrinte në qoshe të kërkonte ndihmë”, tha Ema Andrea duke treguar se si divorci ndikoi te ajo edhe në raportet profesionale të saj./tvklan.al