33-vjeçarja, Dava Ndoj, e cila më 5 korrik është dhunuar në mënyrë barbare nga vjehrri, kunata dhe fëmijët e kësaj të fundit, ishte sot e ftuar në emisionin “Shqipëria Live”. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në fshatin Markatomaj të Lezhës, ku pesë persona kanë gjuajtur me shpulla dhe grushte nënën e katër fëmijëve.
Dava rrëfeu se konfliktet me burrin dhe familjarët e tij kanë nisur më 16 janar, kur ajo ka marrë vesh se bashkëshorti e tradhtonte. Që nga ajo ditë, Ndoj është izoluar në shtëpi nga i shoqi, i cili më pas ka nisur edhe ta dhunojë.
33-vjeçarja shprehet se vjehrri dhe vjehrra më para jetonin në fshatin Orosh të Mirditës dhe më 16 janar, janë zhvendosur në shtëpinë e saj.
“Në fundvit kanë ardhur familjarët e tjerë, për festa. Më 16 janar janë zhvendosur te shtëpia vjehrri dhe vjehrra. Kunatat vijnë dhe ikin kur të duan. Motrat e burrit bëjnë dreka e darka. Ata kanë qenë në dijeni të konfliktit dhe nuk kanë qenë keq me mua. Më thërrisnin bijë. Ju kam kërkuar ndihmë e më thoshin se nuk kemi çfarë ti bëjmë djalit. Kunatat kanë qenë në dijeni. Më thoshin bëj si bëjë, gratë jemi nën urdhrat e burrave. Më thoshin që ta duroja”, tregon Dava.
Kjo e fundit shton se nuk donte të prishte familjen e saj dhe se kishte dëshirë që fëmijët të rriteshin pranë nënës dhe babait. Por siç tregon Ndoj, kjo gjë ishte e pamundur.
“Një ditë erdhi fundi, pasi më provokoi. Kishte ardhur përfundimi i gjithë kësaj historie. Mendoja që të kisha fëmijët mirë, të rriteshin. Doja që fëmijët të dilnin në jetë dhe të kisha mbështetjen e tyre më pas.
Nuk kam shkuar në polici nga pjesa e turpit. Kam katër fëmijë në shkollë, një të sëmurë. Çfarë do thotë shoqëria, si do ndihen fëmijët. Doja të mbroja familjen time, problemet e mia nuk doja që të dilnin jashtë shtëpisë, por dolën dhe u bënë shumë të mëdha”, rrëfen 33-vjeçarja.
Ndërsa duke folur për dhunën që nisi më pas edhe nga vjehrri dhe kunatat, ajo shprehet se e kanë bërë që ta nxirrnin nga banesa. Madje shton se edhe fëmijët e kunatave kanë gjuajtur kundrejt saj.
“Më kanë dhunuar fizikisht, barbarisht në grup, në prani të fëmijëve. Sidomos në prani të djalit që vuan nga diabeti dhe epilepsia. Kunata me vjehrrin dhe nipërit e mbesat e vjehërrisë sime. Kanë qenë 5 persona, vjehrrën nuk e kam parë nëse më ka goditur.
Atë ditë po rrija në pjesën e ballkonit, në shkallët e shtëpisë me djalin e madh. Në atë moment vjen kunata me fëmijët. As më bënë zë dhe as nuk u bëra zë. Qëndruan 20 minuta dhe më pas del e më godet në befasi me shpulla, grushte e më shkuli flokët. Më ka sharë deri në kërcënim. Do të vras, palaço.
Kanë lënë dritat pa paguar dhe jam pa drita. Së fundmi i kanë ndezur. E kanë bërë që unë të largohesha nga shtëpia, që ata të jetonin të lirë”, shprehet Dava.
Kjo e fundit shton se ka ndoshta dy muaj që nuk flet me burrin dhe se ai nuk është bërë i gjallë. Sipas saj, ai nuk ka telefonuar që të pyes për fëmijët e tij.
“Burri nuk paraqitet në shtëpi, por dërgon të tjerët që të bëjnë kështu. Ka një muaj apo dy muaj që nuk kam folur me të dhe nuk e di se ku ndodhet. Ai nuk do me ja ditë për fëmijët, edhe pse kam pasur për të bërë disa analiza djalit. Nuk është interesuar fare nëse kanë apo jo për të ngrënë”, vijoi rrëfimin 33-vjeçarja.
Ndoj tregoi gjithashtu se ajo ka urdhër mbrojtje që me 21 janar, për burrin, vjehrrin dhe kunatës, por që nuk janë zbatuar asnjëherë.
“Edhe në prani të policisë më kanë kërcënuar me jetë. Më kanë goditur, por nuk më kujtohet a kanë pasur sende të forta. Nuk mbaj mend gjë nga ai moment, më kanë pasur futur në mes. Kanë qenë të katërt fëmijët dëshmitarë. Fëmijët janë tmerruar, me të bërtitura dhe të ulëritur. Nuk ua fal kurrë këtë gjë, që kanë vepruar në prani të fëmijëve. Në spital ka përfunduar kunata ime, ka shkuar vetë në spital. Në moment që ka ndodhur ngjarja ka shkuar me makinë dhe se çfarë ka ndodhur e di spitali dhe policia. Vjehrri është i lirë. Edhe kur dola nga spitali, nuk kam shkuar dot në shtëpinë time. Jam te prindërit e mi, nuk kam ku të shkoj tjetër. Edhe fëmija janë te prindërit e mi”, përfundon gruaja.