Mbyllja e procesit zgjedhor/ Edi Rama mesazh kandidatëve të PS: S’ka humbës, por fitues, rezultati do të mbetet në historinë politike të vendit

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, kryeministri Edi Rama, u ka dërguar një mesazh falenderues strukturave socialiste.

Në mesazhin që qarkullon në media, Rama e cilëson këtë betejë politike si një eksperiencë të paharrueshme dhe falenderon të gjithë anëtarët e PS-së për angazhimin e tyre.

“Dua t’ju falenderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila beri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit”, u ka shkruar Rama.

Disa fjalë ua dedikon edhe kandidatëve të listës së hapur dhe atyre që ia dolën që të hyjnë në Kuvend.

“Dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor. Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme”, thuhet më tej në mesazh.

Më tej, Rama thotë se ata që nuk mundën të bëhen pjesë e legjislaturës së re, duhet të ndihen krenarë për fitoren e PS. Ai thotë se kontributi i tyre do të jetë i nevojshëm në sfidën për anëtarësimin e vendit në BE.

“Të gjithë atyre qe s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues!”, shton ai.

Në fund e përmbyll me fjalët:

“Duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur”.


Shtuar 21.05.2025 10:59