Mbyllja e procesit të votimit, vijon akoma për qytetarët në radhë

Ora 19:00! Mbyllet orari zyrtar i votimit në të gjithë Shqipërinë. Por urdhri i KQZ është shumë i qartë për të gjithë komisionerët. Në të gjitha qendrat e votimit në të cilat do ketë qytetarë që presin në radhë, procesi do të jetë i hapur deri kur qytetari i fundit të shprehë vullnetin e tij.

3.588.869 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote kishin sot të drejtë për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit të ri dhe qeverinë që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme. Në garë janë 13 parti dhe në disa qarqe disa kandidatë të pavarur.

Pjesëmarrja ishte mjaft e lartë. Deri në orën 18:00 KQZ raportoi se nga 1654 qendra votimi që kanë informacion nga 5199 në total, qytetarët që kanë votuar janë 45.48%, shifër kjo që pritet që të rritet pas përpunimit të të dhënave deri në orën 19:00, por edhe më pas deri kur të votojë qytetari i fundit.

Procesi i votimit në përgjithësi sot ishte i qetë. Drejtuesit e lartë të shtetit dhe partive votuan që në mëngjes me thirrjet drejtuar qytetarëve për të ndjekur shembullin e tyre.

 


Shtuar 25.04.2021 19:08