Skandali i mbylljes së institucioneve të arsimit parauniversitar Kopshti Zubeyde Hanim dhe Kolegjit Mehmet Akif ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja prestigjioze, të angazhuara në gazetarinë investigative.
Rrjeti për gazetari investigative “FOLLOW THE MONEY” i është përgjigjur shqetësimit të prindërve të Kopshtit Zubeyde Hanim për të investiguar të gjitha procedurat që çuan në vendimin për heqjen e licencës së këtij institucioni nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Përmes një njoftimi për media, Komuniteti i Prindërve të Kopshtit Zubeyde Hanim bën me dije se pas kontakteve që kanë zhvilluar me drejtuesit e rrjetit të pavarur “FOLLOW THE MONEY”, me qendër në Amsterdam, të Holandës, dhe redaksi investigimi në shumë kryeqytete evropiane, drejtuesit e redaksisë janë shprehur të gatshëm për të bërë një hulumtim të thelluar në lidhje me këtë çështje. Rrjeti njihet për investigimin e famshëm të PANAMA PAPERS.
Sipas këtij njoftimi, të konfirmuar për Komunitetin e Prindërve nga drejtuesit e “FOLLOW THE MONEY”, investigimi do të bëhet nga një grup gazetarësh me eksperiencë në çështjet që lidhen me drejtësinë, që mbajnë firmën e shumë investigimeve të ngjashme për shkeljet ligjore në disa vende të Evropës.
Hulumtimi pritet të përfshijë të gjithë aktorët e përfshirë në vendimet që çuan në mbylljen e institucioneve arsimore në fjalë, duke nisur nga inspektorët e Zyrave Vendore Arsimore që hartuan raportet paraprake, kushtet në të cilat u përgatitën këta raporte, e deri tek zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si edhe gjyqtarët që gjykuan dhe rrëzuan kërkesat për sigurim të padive të paraqitura nga Kompania Turgut Ozal dhe Fondacioni Gulistan pas vendimit të MAS për mbylljen e këtyre dy institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar.
Burimet bëjnë me dije se disa nga pyetjet investigative kryesore mbi të cilat do të fokusohen gazetarët e “FOLLOW THE MONEY” që do të vijnë në Tiranë gjatë ditëve në vijim janë : A është vendimi për mbylljen e institucioneve një vendim politik, apo i mbështetur mbi prova që argumentojnë vendimin e MAS? Mbi ç’kushte u përgatitën raportet e inspektorëve që çuan në mbylljen e këtyre institucioneve? Sa përputhen vlerësimet e inspektorëve dhe argumentet e MAS për mbylljen e institucioneve me infrastrukturën dhe mundësitë e këtyre të fundit? Sa u përgjigjen vendimet e zyrtarëve të MAS pretendimeve të tyre për heqjen e licencës së këtyre institucioneve? Si qëndron raporti i kuadrit ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar, me vendimin e MAS dhe dëmin e shkaktuar tek fëmijët/nxënësit?
Një çështje e rëndësishme që pritet të jetë pjesë e investigimit të gazetarëve hungarezë mësohet të jetë edhe një analizë profesionale mbi përputhshmërinë e vendimeve të gjyqtarëve dhe provave të paraqitura nga avokatët e çështjeve pranë Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë në proceset e zhvilluara deri tani.
Platforma për gazetari investigative radikale “FOLLOW THE MONEY” ( https://www.ftm.eu/) në punën e saj hulumtuese orientohet nga slogani “Shtigjet e parave nuk gënjejnë; prandaj i ndjekim”. FOLLOW THE MONEY është një platformë për gazetari investigative radikalisht të pavarur.
Kujtojmë se Kopshti “ Zubeyde Hanim”, Tiranë, ka qenë objekt i inspektimeve të shtuara nga organet në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ( MAS), të cilat kulmuan me miratimin e Urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit nr.540, datë 15.09.2022 “Për mbylljen e veprimtarisë së institucionit privat të arsimit parauniversitar ‘Zubeyde Hanim’, Tiranë”.
Për sa më sipër, Komunitet i Prindërve, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për mbylljen e aktivitetit të Kopshtit Zubeyde Hanim, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për pezullimin e zbatimit të akteve administrative dhe shfuqizim të vendimeve.
Dosja përmban mbi 1400 faqe me prova që dokumentojnë dëmin e shkaktuar te fëmijët dhe faktojnë vendimin e padrejtë në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Ndërkohë, Komuniteti i Prindërve të Kopshtit Zybeyde Hanim, shpreh shqetësimin me mbarëvajtjen e procesit gjyqësor që kanë iniciuar përmes kësaj padie. Sipas tyre, pas shortit të hedhur për gjyqtarin që do të gjykonte padinë e tyre si prindër, përmes avokatit të çështjes, janë vënë në dijeni se znj. Selvie Gjocaj, e cila do të gjykonte këtë rast, ka paraqitur kërkesë për të hequr dorë nga shqyrtimi i çështjes, e pranuar kjo nga Kryetarja e Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më tej, çështja i ka rënë me short znj.Afërdita Maho, gjyqtare e cila më parë rrëzoi kërkesën e Kompanisë Turgut Ozal drejtuar Gjykatës Administrative të Rrethit Gjyqësor Tiranë për sigurim të padisë pas vendimit të MAS për mbylljen e Kopshtit Zubeyde Hanim.