Mbreti i ri Charles III përshëndet popullin britanik para Pallatit Buckingham

Mbreti Charles III dhe bashkëshortja e tij, Camilla kanë mbërritur në Pallatin Buckingham dhe kanë përshëndetur popullin britanik.

Charles III i ka takuar nga afër disa prej qytetarëve që ishin mbledhur në nderim të mbretëreshës Elisabeth II dhe mbështetje të tij.

Mbreti Charles III do të takohet me kryeministren Liz Truss këtë të premte pasdite. Ai do të mbajë një fjalim në Katedralen e Shën Palit në orën 18:00.

Mbreti do të shpallet në Këshillin e Aderimit në orën 10:00 të shtunën në apartamentet shtetërore të Pallatit të St James, sipas Buckingham Palace.

Liderët botërorë dhe qytetarët në të gjithë botën kanë nderuar Mbretëreshën Elizabeth II, e cila ndërroi jetë të enjten në moshën 96-vjeçare në Pallatin Balmoral në Skoci.

Homazhe në nder të saj u bënë nga SHBA-ja e Kanadaja deri në Japoni e Australi nga qytetarë të ndryshëm të cilët vendosën lule jashtë ambasadave apo katedraleve.

Mbretëresha Elizabeth II ishte monarkja më jetëgjatë në historinë britanike, e cila mori fronin në vitit 1952.

Në krye të Mbretërisë së Bashkuar tashmë është djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit, i cili merr titullin Mbreti Charles III.