Mbretëresha Elizabeth sërish me probleme shëndetësore, çfarë i ndodhi këtë herë

Mbretëresha Elizabeth II e Britanisë së Madhe nuk mori pjesë në shërbimin e së dielës së përkujtimit pasi ndrydhi shpinën, ka njoftuar Pallati Buckingham.

“Mbretëresha, duke qenë se ka ndrydhur shpinën, ka vendosur këtë mëngjes me keqardhje të madhe të mos marrë pjesë në shërbimin e sotëm të së dielës përkujtimore në Cenotaph. Madhëria e saj është e mërzitur që do të humbasë shërbimin”, thuhet në deklaratë.

Buckingham Palace kishte konfirmuar të enjten se monarku 95-vjeçar ishte mjaft mirë për të marrë pjesë në ceremoni, por si duket ky problem shëndetësor e bëri që të mos shkonte.

Anëtarë të tjerë të familjes mbretërore, duke përfshirë Camilla, Dukeshën e Cornwall-it dhe William dhe Catherine, Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, ishin të pranishëm ashtu siç ishte planifikuar.

Kanë kaluar më shumë se tre javë që kur Mbretëresha mori pjesë në një ngjarje publike, kur ajo organizoi një pritje për drejtuesit e biznesit në Pallatin Buckingham përpara konferencës së klimës COP26 në Glasgow. Një ditë më pas, ajo anuloi papritur një udhëtim të afërt në Irlandën e Veriut dhe kaloi një natë në spital pas përkeqësimit të shëndetit.

Që atëherë dhe pas udhëzimeve të mjekut të saj, familja mbretërore e ka ulur ndjeshëm agjendën e saj. Ajo ka qëndruar kryesisht në Windsor, duke kryer disa detyra të lehta me video ose telefonata./albeu.com


Shtuar 14.11.2021 15:32