Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e tretë të saj, shumë kompani të huaja kanë tërhequr investimet nga Rusia.
Së fundmi ishte McDonald’s që deklaroi se do të largohet nga tregu rus dhe ka filluar një proces për të shitur biznesin e tij në vend, ndonëse ushtronte aktivitetin prej 30 vitesh në këtë shtet.
Në mars, zinxhiri i ushqimit të shpejtë tha se po mbyllte përkohësisht rreth 850 restorante në Rusi në përgjigje të pushtimit të vendit të Ukrainës, raporton BBC.
“Kriza humanitare e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe mjedisi i paparashikueshëm i operimit, kanë bërë që McDonald’s të arrijë në përfundimin se vazhdimi i pronësisë së biznesit në Rusi nuk është më i qëndrueshëm dhe as nuk është në përputhje me vlerat e McDonald’s. Si pjesë e vendimit të McDonald’s për t’u larguar, kompania “po procedon shitjen e të gjithë portofolit të saj të restoranteve McDonald’s në Rusi te një blerës vendas”, thuhet në deklaratë.
Restorantet e McDonald’s në Ukrainë mbeten të mbyllura, ndërsa kompania vazhdon të paguajë pagat e plota për punonjësit e saj në vend.