Mbi 12 milionë euro kriptovaluta të sekuestruara, Braho: Administrimi i tyre, problematikë! Deri më tani na kanë ndihmuar autoritete të tjera, AAPSK ta adresojë sa më shpejt

Kreu i SPAK, Klodian Braho, theksoi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë së administrimi i kriptovalutave të sekuestruara, mbetet ende një problematikë.

Gjithashtu, ai theksoi se gjatë vitit 2025 janë sekuestruar mbi 12 milionë euro kriptovaluta, por shtoi se deri më tani kanë qenë autoritetet e huaja që i kanë ndihmuar në marrjen, administrimin dhe ruajtjen e tyre.

Braho kërkoi që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, të adresojë këtë problematikë dhe të ketë mundësinë që të administrojë edhe portofole kriptovalutah.

“Në vitin 2025 janë sekuestruar në tre vendime, 12.4 mln euro e kriptivalutave. Ka sekuestrime edhe gjatë 2026, por që do të jenë pjesë e raportit tjetër. Baza ligjore e sekuestrimit të tyre është e njëjtë si çdo pasuri, por kemi pasur problematikë në lidhje me administrimin. Kemi pasur problematike mënyrën e administrimit të tyre. Në dijeninë time punohet për kuadrin ligjor për të mundësuar administrimin e kriptovalutave. Vlerën që i jemi referuar dhe praktikës së tonë të deritanishme, kemi bashkëpunuar me autoritete të tjera.

Na kanë ndihmuar në marrjen, sekuestrimin dhe menaxhimin e tyre si e vetmja formë për mbajtjen e tyre. Shpresojmë që Agjencia për Administrimin e pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara të ketë mundësi që të administrojë protofole kriptovalutash sepse nuk lidhet vetëm me procesin e ruajtjes së tyre por edhe të vënies në punë se janë shifra që mund të kenë ndryshime drastike. Konstatoj hapa pozitivë dhe jam shpresëplotë se situata do të rregullohet së shpejti”, u shpreh Braho.


Shtuar 27.04.2026 10:55