Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, do të hapen gjithsejtë 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në të kaluarën, në këtë zonë janë hapur 44 qendra votimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë.
Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.
“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.
Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.
Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës – Lista Serbe – nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.