Masakruan me shkopinj bejsbolli policin dhe vëllanë e tij në Kombinat, lihet në burg 29-vjeçari: S’kam lidhje me ngjarjen, nuk isha i pranishëm

Blerim Bulica, 29 vjeç u la në arrest me burg nga Gjykata e tiranës.

Bulica, së bashku me 5 persona të tjerë, për shkak të një borxhi dhunuan efektivin e plicisë Ervin Fanaj dhe vëllanë e tij Bledar Fanaj në Kombinat.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, 29-vjeçari e ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje dhe ka kërkuar lirimin nga qelia.

Prokuroria arsyetoi se bazuar në veprimet e para hetimore, Bullica bashkë me familjarët dhe rrethin ka qenë i pranishëm në skenat e dhunës së ndodhur në Kombinat ndaj efektivit të policisë Ervin Fanaj dhe vëllait të këtij të fundit Bledar Fanaj. Në kërkim janë shpallur Besart Bulica, Shaban Bulica, Bekim Bulica, Benard Aliaj.

Si ndodhi ngjarja

Efektivit i është bërë pritë dhe i kanë bllokuar rrugën në momentin që është futur ne sheshpushimin e pallateve, pasi i kanë zënë rrugën me makina të tjera me targa angleze në hyrje që të mos kishte mundësi të largohej, kanë filluar ta qëllojnë më shkopinj bejsbolli drejt xhamave te makinës.

Edhe pse tenton të largohet dhe të mbrohet, efektivi tenton të fusë automjetin drejt një garazhi të pallatit, por aty agresorët i kanë nxjerrë të dy nga makina dhe i kanë dhunuar.

Efektivi dhe i afërmi i tij kanë tentuar vetëm të mbrohen nga agresorët. Edhe pse policia nuk e raportoi, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, çka ka sjellë panik edhe te banorët e lagjes të cilët kanë lajmëruar policinë, por kjo e fundit ka mbërritur në vendin e ngjarjes kur janë larguar autorët e sulmit.

Dy personat kanë marrë dëmtime të rënda pasi ndaj tyre është ushtruar dhunë barbare. Policia në deklaratë tha që në vendngjarje është gjetur edhe arma e shërbimit të efektivit.

Lidhur me ngjarjen është arrestuar 29-vjeçari Blerim Bulica, ndërsa në kërkim mbeten shtetasit Besart Bulica, Shaban Bulica, Bekim Bulica, Benard Aliaj.

Raportohet se pas arrestimit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar 3 jelekë antiplumb, veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale angleze, një shkop gome si ato të Policisë, dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

/albeu.com/