Bashkimit Evropian po i mbarojnë paratë e të tjerëve

Nga Matthew Lynn “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ajo po e rindërton ekonominë e saj. Ajo po nis të zbatojë një program të sovranitetit ekonomik. Dhe më në fund po distancohet nga nafta dhe gazi rus, dhe në këtë mënyrë po e ndihmon Ukrainën që të mbrohet. BE-ja ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj gjatë 3 viteve të fundit, në një përpjekje për ta shndërruar veten në fuqinë fiskale që e kanë dëshiruar gjithmonë mbështetësit e saj më të zjarrtë.

Megjithatë, ka një problem: Brukseli dukej se e injoroi çështjen se si do të paguante për të gjitha këto. Gjatë javës së fundit, ka shpërthyer një grindje e ashpër mbi disa shkurtime të vogla buxhetore, ndërsa Komisioni Evropian po përpiqet që të grumbullojë një fond shtesë prej 86 miliardë eurosh në buxhetin e tij.

Në realitet, BE-së kanë filluar që t’i mbarojë paratë e njerëzve të tjerë, dhe shumë shpejt kjo gjë do të bëhet e dukshme. Për cilindo që beson tek një bashkëpunim më i ngushtë ekonomik brenda Bashkimin Evropian, me shpenzime më të larta të centralizuara, me një fuqi huamarrjeje më të madhe dhe rritje të taksave, dhe me diçka që është më afër një Ministrie Financash të unionit, që mund të drejtojë shpenzimet nga njëri rajon në tjetrin, dy vitet e fundit kanë parë një hap të madh përpara.

U krijua një fond prej 750 miliardë eurosh për Rimëkëmbjen nga Koronavirusi, që synon të ndihmojë shtetet anëtare të rimarrin veten nga pasojat e shkaktuara nga pandemia. Pastaj është miratuar një Akt mbi Mikroçipat dhe një Strategji Industriale e Gjelbër, që synon të kopjojë subvencionet e mëdha të presidentit Joe Biden për energjitë alternative në Shtetet e Bashkuara, si dhe të rimarrë kontrollin e zinxhirëve të furnizimit të teknologjisë së lartë nga të cilat varet industria.

Ajo ka dërguar shuma të konsiderueshme parash për ta ndihmuar Ukrainën të përballet me agresionin rus, dhe ka indeksuar pagat e të gjithë zyrtarëve të saj me inflacionin e lartë në Belgjikë (12.5 për qind në kulmin e tij këtë vit). Madje ka emetuar obligacione me vlerë qindra miliarda euro.

Dhe ka pasur një rritje të konsiderueshme në shtrirjen, kompetencat dhe shpenzimet e tij.

Por këtu qëndron edhe problemi. Më në fund, kanë filluar që të dalin faturat. Këtë javë, Parlamenti Evropian kritikoi disa shkurtime shumë modeste të programit të shpenzimeve për vitin 2024, duke e reduktuar atë nga 189 në 187 miliardë euro. Por beteja e vërtetë prite të jetë mbi planet fiskale për 4 vitet e ardhshme.

Në qershor, Komisioni Evropian përcaktoi planet për një rritje prej 66 miliardë eurosh në buxhetin e viteve 2021-2027, si dhe 20 miliardë euro shtesë për të ndihmuar Ukrainën. KE shpreson të ketë një marrëveshje deri në fund të vitit. Por tani për tani, asnjë nga 27 anëtarët nuk duket shumë i prirur për të grumbulluar paratë shtesë.

Dhe nuk është e vështirë të kuptosh arsyen. Së pari, nuk është se paratë janë shpenzuar në një mënyrë shumë të dobishme. Nga 66 miliardë euro shtesë financim të kërkuar, 19 miliardë euro nevojiten për të paguar kostot më të larta të interesit nga sa pritej për huamarrjen e saj shtesë (sepse askujt në Bruksel nuk i shkoi ndërmend që normat e interesit mund të rriteshin), 1.9 miliardë euro për kostot më të larta për administratën e BE-së, 15 miliardë euro shtesë për koston e përballimit të migrimi, dhe 10 miliardë euro për të plotësuar fondet ekzistuese si InvestEU (5 miliardë euro), Fondi i Inovacionit (3 miliardë euro), Fondi Evropian i Mbrojtjes (1,5 miliardë euro) dhe Këshilli Evropian i Inovacionit (500 milionë euro), shuma të vogla që mund të bëjnë pak ndryshim në konkurrencën industriale të kontinentit.

Pastaj, të gjitha vendet e mëdha gjenden vetë në një pozitë financiare të dobët. Kohët e fundit Franca pati një ulje të vlerësimit të saj të shërbimit të borxhit, dhe po përpiqet të balancojë buxhetin e saj. Gjermania po ecën më keq se sa çdo ekonomi tjetër në eurozonë dhe sapo ka ulur taksat e korporatave me 32 miliardë euro për të stimuluar rritjen ekonomike.

Ndërkaq Italia i është rikthyer stanjacionit, një tipar i ekonomisë së saj që kur zëvendësoi liretën me euron në vitin 1999.

Nën këtë sfond, është shumë e vështirë t’i bindësh qeveritë se duhet të tatojnë dhe të marrin hua akoma më shumë për t’ia dorëzuar paratë Brukselit. Ndoshta i vetmi vend i madh që ka luksin të kontribuojë me para shtesë është Polonia me një rritje ekonomike të shpejtë, 4.9 për qind vetëm vitin e kaluar.

Ky problem do të jetë shumë i vështirë për t’u trajtuar. BE-ja ka provuar tashmë që të emetojë borxhin e vet, dhe investitorët ishin shumë të lumtur t’i blinin menjëherë bonot, duke supozuar se Gjermania dhe Franca nuk do të lejonin që BE-ja të shkatërrohej. Por sot është e vështirë që ata të binden të blejnë më shumë.

Dhe ndërsa ka shumë plane për të rritur taksat e veta, sapo ndonjëra prej tyre të duket se është gati të materializohet, ato do të ndeshet me një kundërshtim të ashpër nga opozitat. Për shembull mund të përmendim planet për taksat mbi aviacionin, ato mbi emetimet e karbonit, apo taksën shtesë prej 0.5 për qind mbi fitimet e korporatave në të gjithë BE-në.

Këto lloj taksash nuk mund të marrin ndonjë mbështetje të gjerë.

Edhe pse mbështetësit e qëndrimit në unionit ngurrojnë ta pranojnë këtë, Britania e Madhe është larg nga kjo rrëmujë. Do të ishte gati e paimagjinueshme që në një kohë kur taksat po arrijnë nivelet më të larta të 70 viteve të fundit, kur shërbimit shëndetësor kombëtar (NHS) po i mbarojnë burimet dhe sektori publik është rrënuar nga një valë grevash, një kryeministri britanik t’i duhet të gjejë dhjetëra miliarda të tjera për t’i dërguar çdo vit në Bruksel, sidomos kur një pjesë e tyre janë shpenzuar diku tjetër.

Por askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim mbi pasojat e mundshme për pjesën tjetër të kontinentit. Nëse Komisioni Evropian nuk mund të mbledhë dot para shtesë, atëherë do të duhet të shkurtojë ndjeshëm shpenzimet, dhe ndoshta të zvogëlojë mbështetjen e tij për Ukrainën dhe të braktisë strategjinë e ardhshme industriale që të jetë më miqësore me mjedisin.

Siç tha dikur më të drejtë zonja Thatcher “problemi me socializmin është se në fund mbeteni pa paratë e njerëzve të tjerë”. BE-ja ka disa dekada që po mbështetet tek “paratë e të tjerëve”. Por ndërsa shpenzimet po rriten, dhe ndërsa po përpiqet të zgjerojë më tej fuqinë dhe ndikimin e tij, Brukseli ka filluar të mbetet pa para. /albeu.com


Shtuar 5.09.2023 13:27

Tags: