Masakra në Bucha, Zelensky: Nuk e di se si, por duhet të vazhdojmë negociatat me Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se vendi i tij duhet të vazhdojë negociatat me Rusinë pavarësisht mizorive ndaj civilëve që kjo e fundit ka kryer.

Bucha ditët e fundit ka përjetuar mizori të vërtetë, pasi me qindra civilë janë vrarë dhe lënë rrugëve nga forcat ruse gjatë tërheqjes.

Imazhet që përshkruajnë mizoritë kundër civilëve në qytetin ukrainas u panë pas tërheqjes së ushtrisë ruse nga rajoni i Kievit, dokumente që i referohen ekzekutimeve të civilëve, varreve masive. Masakra në Bucha nxiti reagimin ndërkombëtar, duke e cilësuar Putinin si përgjegjës të kësaj masakre.

Në një deklaratë për CBS, presidenti ukrainas tha se pavarësisht mizorive, duhet të vazhdojnë negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.

“Është e vështirë të thuhet se si, pas gjithë asaj që ka ndodhur, por ne duhet të negociojmë me Rusinë. Unë si president, më duhet ta bëj këtë gjë, çdo luftë duhet të marrë fund,” tha presidenti ukrainas Zelensky duke iu referuar gjithashtu masakrës në Bucha./albeu.com/