SPAK ka kërkuar burg përjetë për Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.
Të dy janë persona të njohur për drejtësinë, pasi janë akuzuar për masakrën e Lushnjës në vitin 2017.
Prokurorja e SPAK Dolorez Musabelli ka lexuar konkluzionet përfundimtare ndaj këtyre shtetasve duke kërkuar për ta burgim të përjetshëm.
Ndërkohë vijon të jetë në kërkim për këtë ngjarje Laert Haxhiu. Prokuroria e Posaçme i akuzon të tre si pjesëmarrës në grup kriminal dhe autorë të disa vrasjeve me paramendim në zonën e Lushnjes dhe jo vetëm.
Orgest Bilbili dhe Laert Haxhiun janë akuzuar për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit si dhe tentativën e vrasjes së Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, raporton abcneës.al.
Kujtojmë se Bilbili, ka qenë jo vetëm një nga personat më të kërkuar në rrethin e Lushnjës e në Shqipëri, por edhe në kërkim ndërkombëtar. Ai u arrestua në Tiranë gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë, pas përplasjes me efektivët që kryenin kontrollin në territor.
Arrestimi nga policia e Tiranës i Orges Bilbilit u quajt një sukses i konsiderueshëm. Kjo për faktin se policia është e bindur se ai është një nga tre autorët e dyshuar të disa vrasjeve të pamëshirshme, që vitet e fundit kanë terrorizuar Lushnjen./albeu.com/