Masakra e “Don Boskos”, Karamuço: Policia ka zbuluar vrasësit, por nuk lidh dot provat

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka dhënë detaje nga ecuria e hetimeve në lidhje me maskrën e Don Boskos (12 mars), ku mbeti e vrarë një grua e pafajshme dhe të plagosur 6 persona të tjerë nga një atentat mafioz ndaj lokalit të Fation Muratit.

I ftuar në “Top Talk” Karamuço tha se janë zbuluar vrasësit e Don Boskos nga Policia e Shtetit.
Ai tha se policia ka informacione dhe burime të sakta por është e vështirë që të lidhen provat, të cilat do të çojnë pas hekurave autorët që lanë të vdekur 58-vjeçaren Mimoza Paja dhe plagosën 6 të tjerë.

“Drejtori i Policisë së Shtetit për qarkun e Tiranës, Tonin Vocaj, ka dhënë një informacion dhe ka thënë që policia ka informacione dhe burime të sakta se kush mund të qëndrojë pas kësaj por problemi dhe vështirësia e madhe qëndron si mund ta lidhem ne këtë përmes provave që ky person të shkojë dhe të përballet me organet e drejtësisë.
Policia i di të gjitha rivalitetet dhe grupet kriminale, i di lëvizjet e tyre por problemi qëndron te ata që janë në kërkim, policia e Shtetit i kërkon nga zona më të largëta të kryeqytetit ndërkohë që para disa kohës, njëri I shumëkërkuar është parë diku te e njëjta rrugë, në Don Bosko. Duhet të planifikosh, orientosh e planifikosh, ata mund të jenë kudo, në çdo moment”, tha Karamuço.

Kujtojmë se shënjestra e atentatit, Fatjon Murati, i cili do të duhet të ishte në “arrest shtëpie” pasi u arrestuar në tetor 2022 për armbëmbajtje pa leje, është arratisur dhe dyshimet janë se është larguar jashtë vendit. Ai është dyshuar me herët për atentatin me 3 të vrarë tek mbikalimi i Fushës-Krujës, ku viktimë mbeti Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

Në lokalin e Muratit, nga breshëria e armëve, humbi jetën banakierja Mimoza Paja, si dhe u plagos xhaxhai i Fatjon Muratit dhe 5 persona të tjerë, përfshirë dhe mbesën 10 vjeçe të viktimës. Për të rënë në gjurmët e autorëve policia po sekuestron kamerat e sigurisë, përgjatë rrugës që kanë ndjekur ekzekutorët nga Don Bosko deri në fshatin Likmetaj ku ata dogjën makinë që përdoren në atentat./albeu.com/