Ditën e sotme, Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka zhvilluar një vizitë në Kosovë. Kos u prit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu dhe zhvilloi një takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë një konference të përbashkët me Marta Kos, Kurti kërkoi që aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian të avancojë. Ai tha se nuk duan rrugë të shkurtra apo derë të pasme por vetëm proces meritor, pasi Kosova ka përparuar shumë në plotësimin e kritereve.
Të lidhura
None found
Gjithashtu, Kurti theksoi se janë bërë 40 muaj që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe se është koha që BE ta avancojë atë, ndërsa u ankua për Serbinë duke përmendur sulmet terroriste në Banjskë dhe Iber Lepenc.
Kjo duke theksuar se Kosova është përpjekur për bashkëpunim rajonal. Në fund, kryeministri shtoi se me komisioneren bisedoi dhe faktin se Bosnja e Hercegovina ende nuk i ka hequr vizat për Kosovës.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Albin Kurti, e vendosi theksin te stabiliteti i institucioneve dhe funksionimi i tyre.
Gjatë fjalës së saj, Kos tha se plani i rritjes falë fondeve të BE është një mbështetje e rëndësishme për vendin, ndërkohë shtoi, se BE është e përkushtuar në të ardhmen europiane të Kosovës.
Kjo është vizita e parë e Marta Kos në Kosovë që kur ajo e mori detyrën në Komisionin Evropian, më 1 dhjetor 2024.
Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.
