Libani dhe Izraeli arritën një marrëveshje historike për përcaktimin e një kufiri detar të diskutueshëm mes tyre, pas vitesh negociatash të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, tha të martën kryeministri izraelit Yair Lapid. Megjithëse me efekt të kufizuar, marrëveshja shënon një kompromis të rëndësishëm midis dy vendeve me një histori lufte dhe konflikti, duke i hapur rrugën eksplorimit të energjisë në det të hapur dhe duke eliminuar një burim tensionesh të kohëve të fundit.
“Kjo është një arritje historike që do të forcojë sigurinë e Izraelit, do të sjellë miliarda për ekonominë e Izraelit dhe do të sigurojë qëndrueshmërinë e kufirit tonë verior,” tha zoti Lapid në një deklaratë.
Në Liban, presidenti Michel Aoun tha se kushtet e propozimit përfundimtar të Shteteve të Bashkuara ishin të kënaqshme dhe se ai shpresonte që marrëveshja të shpallej sa më shpejt që të ishte e mundur.
Pakti synon të zgjidhë një mosmarrëveshje territoriale në lindje të Detit Mesdhe, në një zonë ku Libani synon të bëjë eksplorime për gaz natyror. Izraeli nxjerr gaz natyror në fushat aty pranë.
Marrëveshja përcakton për herë të parë një kufi midis ujërave libaneze dhe izraelite dhe krijon një mekanizëm që të dyja vendet të marrin të ardhura nga një fushë gazi në det të hapur që ndodhet mes dy vendeve.
Marrëveshja nuk përfshin kufirin e përbashkët tokësor. Negociatori libanez Elias Bou Saab i tha agjencisë Reuters se varianti përfundimtar i marrëveshjes “merr parasysh të gjitha kërkesat e Libanit”. Izraeli ka bërë hapa përpara në drejtim të prodhimit dhe eksportimit të gazit natyror, por përpjekjet e Libanit janë penguar nga paraliza politike.
Gjetja e gazit do të ishte një ndihmë e madhe për Libanin, i cili është zhytur në krizë financiare që nga viti 2019 dhe mund të tejkalojë problemin e mungesës së prodhimit të energjisë elektrike të mjaftueshme për popullsinë e Libanit. Zoti Lapid, i cili përballet me zgjedhje më 1 nëntor, planifikon të kërkojë miratimin e marrëveshjes nga kabineti i tij i sigurisë të mërkurën dhe më pas nga qeveria, përpara se ajo të paraqitet në parlament. Një zyrtar izraelit tha se miratimi përfundimtar pritet brenda tre javëve të ardhshme.
Instituti për Studimet e Sigurisë Kombëtare i Universitetit të Tel Avivit, e quajti marrëveshjen “të favorshme”.
“Një marrëveshje mes Izraelit dhe Libanit do të përbëjë një zhvillim themelor pozitiv në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mund t’u hapë rrugën ndryshimeve të mëtejshme në marrëdhëniet midis tyre,” thuhet në një raport të tij./VOA