Marrëveshja me Italinë për pensionet/ Shehi: Kur të nisë zbatimi i saj do të dalin edhe defektet, në Shqipëri realiteti është i hidhur

Gjatë fjalës se tij në seancën plenare, deputeti Dashamir Shehi,  ka folur në lidhje me marrëveshjen e arritur me shtetin italian për italian, duke e konsideruar si shumë të rëndësishme.

Ai ka shtuar se kjo marrëveshje do të ketë edhe defekte, të cilët do të dalin në pah në momentin që do të fillojë të zbatohet.

“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme, se është një nga vendet që ka numrim të madh të shqiptarëve.

Po kaq ka edhe në Greqi, por në Greqi situata është pak me ndryshe, se atje shkojnë e vijnë më shumë shqiptarë. Dua që kjo të zgjerohet edhe në shtete të tjera.

T’i falenderojmë italianët që edhe si gjërat tjera, janë treguar mirëkuptues. Kjo të ishte bërë një dekadë më parë.

Kur të fillojë të zbatohet, do nisë të tregojë edhe defektet, por unë i gjykoj këto si një çmim që do t’i paguajmë si një marrëveshje që është e madhe.

Shpresoj që kjo të shërbejë si një ekspericë”, tha Shehi.

Në lidhje me situatën e pensioneve në Shqipëri, Shehi tha se ajo është e hidhur.

Sipas tij, niveli i pensioneve ka qenë i ulët, por vitet e fundit për shkak edhe inflacionit ka humbur edhe raportin me pagën.

“Realiteti i pensioneve është i hidhur.

Ky nivel që është i ulët, vitet e fundit për shkak të inflacionit ka humbur edhe raportet me pagën.

Një pensionist që ka qenë i varfër, sot është edhe më i varfër.

Një pensionist që vite më parë kontribuonte në familjen shqiptare, sot nuk i del dot të mbajë veten e tij”, u shpreh Shehi.


Shtuar 16.05.2024 13:05