Marotta: Lukakun nuk e mbanim dot me zor, po kërkojmë sulmues tjetër

Beppe Marotta aanalizon Interin në funksion të fillimit të sezonit të ri: “Janë shtatë skuadra kandidate për ta fituar titullin këtë kampionat, por ne duhet të nderojmë flamurin që mbajmë në gjoks. Duhet të jemi ambiciozë dhe do të jemi të tillë”. Diskutimi më pas kaloi te merkatoja, lamtumira e Lukakut dhe kërkimi i një sulmuesi tjetër për të plotësuar repartin ofensiv:

“Ju nuk mund ta frenoni një lojtar para një deklarate kaq eksplicite të dëshirës për t’u larguar. Kjo, megjithatë na lejoi të sigurohemi si klub përballë një situate të vështirë ekonomike dhe financiare, që ka prek të gjithë botën e futbollit, përfshirë pronarët tanë që kanë investuar qindra-miliona euro. Tani po kërkojmë një sulmues tjetër, në përputhje me atë që ofron tregu dhe me nevojat tona”.

Marotta pastaj foli për trajnerin e ri, Simone Inzaghi: “Përshtypjet që na ka lënë janë absolutisht positive. Ai është një profesionist me seriozitet të madh, i cili i ka dhënë aq shumë Lazios si lojtar dhe si trajner. Profil më të mirë se sa ai nuk kishim në Itali, jemi të lumtur dhe të nderuar që është trajneri ynë. Simone është udhëheqësi i vërtetë i këtij ekipi. Besoj se do të marrim kënaqësi të madhe, pavarësisht mungesave të rëndësishme nga sezoni i kaluar”.

Marotta nuk mendoi shumë për rinovimin e Lautaros, por la të kuptohej se vullneti i lojtarit është i qartë: “Ai është pjesë e asaj kategorie lojtarësh që në mënyrë eksplicite donte të qëndronte, pavarësisht ofertave nga klube të tjera. Ka një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar nga ana e tij, Lautaro dëshiron të konfirmojë për të gjithë se është kampion i vërtetë”.


Shtuar 22.08.2021 14:47