Marine Le Pen “trazon” Francën, protesta të dhunshme kundër kandidates për presidente

Teksa pritet të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, në disa qytete të vendit kanë shpërthyer protestat kundër të djathtës ekstreme të Marine Le Pen.

Kanë qenë me mijëra demonstruesit që kanë marshuar kundër Le Pen, për ta penguar atë në arritjen e një fitoreje në balotazhin zgjedhor kundër presidentit aktual Emmanuel Macron më 24 prill.

Autoritetet raportuan për disa incidente në rreth 30 qytete në Francë. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e cila filloi të gjuante me gurë drejt policisë.

Në qendër të Parisit, mijëra njerëz u mblodhën duke brohoritur slogane kundër të djathtës ekstreme dhe duke paralajmëruar trazira demokratike nëse Le Pen do të fitonte. Në një pankartë shkruhej:

“Kundër të djathtës ekstreme. Për drejtësi dhe barazi, jo Le Pen në Elysee”

Këtë vit, raundi i parë i votimit të dielën e kaluar krijoi një balotazh të përsëritur me atë të 2017, ndërsa tani presidenti i vendit po përballet me një sfidë shumë më të ashpër.

Përpara raundit të parë, Le Pen shfaqi zemërim mbi koston e jetesës dhe një perceptim se Macron është i shkëputur nga vështirësitë e përditshme. Kjo e bëri atë të përfundojë me 23.1% të votave krahasuar me 27.85% për Macron.

Sondazhet kanë treguar që Macron po e zgjeron epërsinë e tij.

Le Pen, qëndrimi i së cilës është kundër imigracionit dhe euroskepticizmit është përpjekur në vitet e fundit të zbusë imazhin e saj dhe të partisë së saj Rally National. Kundërshtarët, përfshirë Macron, kanë thënë se programi i saj është plot gënjeshtra dhe premtime të rreme, një akuzë që Le Pen e ka hedhur poshtë.