Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë marrë fatura të larta të energjisë elektrike. Reagimet e para të qytetarëve janë se faturat janë shumë më të larta se vendimi i Komisionit Rregullator të Energjisë në fund të vitit të kaluar kur njoftoi se energjia elektrike do të rritet për 9.4 për qind.
Organizatat joqeveritare kanë marrë një numër të madh të ankesave nga qytetarët të cilët në janar kanë marrë fatura mbi 50 për qind më të larta se në dhjetor. Aktivistët civil vlerësojnë se shteti duhet të gjejë mënyra të tjera për të lehtësuar pagesën e faturave të energjisë elektrike për qytetarët.
“Një nga mënyrat që apelojmë rregullisht është heqja e subvencioneve për hidrocentralet e vogla. Vlerësojmë se ato janë mjaft të dëmshme dhe në vend që të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit, kjo shkakton kundër efekt. Ja, nëse vërtet Qeveria dëshiron të ndihmojë qytetarët këto 3-4 për qind në fatura t’i ulë, gjegjësisht t’i shfuqizojë dhe të ulen faturat”, tha Marian Nenov aktivist civil “No paseran”.
Nga EVN Maqedoni thonë se në rajonin e Shkupit është shënuar rritje e konsumit të energjisë elektrike për shkak të ngrohjes së lartë në pjesët që furnizohen me ngrohje. Faturat më të larta janë kryesisht për shkak të më shumë kilovat orëve të shpenzuara dhe jo të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“Në pjesën më të madhe bëhet fjalë pikërisht për kilovat orët e shpenzuara aq sa është në faturë dhe në disa raste ka qenë vlerë e përllogaritur për shkak të ndonjë matësi të palexuar apo nivelizim të ndonjë periudhe që s’është lexuar më parë. Fatura e supozuar nuk nënkupton automatikisht faturë më të lartë të energjisë elektrike. Ajo mund të përmbajë vlera më të ulëta të supozuara të konsumit se vlera reale në atë muaj”, njoftojnëë nga EVN Maqedoni.
Ministria e Ekonomisë njoftoi se deri në këtë fundjavë janë pranuar 6500 kërkesa nga kategoritë e rrezikuara të familjeve për ndihmë financiare nga shteti për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.
“Janë formuar pesë komisione, të cilat do të jenë aktive deri në fund të muajit shkurt dhe do të përgatitet lista përfundimtare e aplikuesve që do të marrin mbështetje financiare nga kjo masë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Autoritetet theksuan se rritja e çmimit të energjisë elektrike për gati 10 % do të jetë e vlefshme në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Nëse nevojitet korrigjim i ri do t’i informojnë qytetarët në kohën e duhur. Gjithçka varet nga mënyra se si do të lëvizin çmimet në bursat botërore dhe cila do të jetë kërkesa globale për energji elektrike./Alsat.mk