Manovrat e rrezikshme në “Tik-Tok” marrin në qafë shoferët, policia i identifikon dhe i gjobit

Policia e Tiranës ka identifikuar përmes rrjeteve socciale drejtuesit e dy automjeteve të cilët kryenin manovra të rrezikshme në rrugë.

Në datat 29.03.2023 dhe 20.04.2023, në rrjete sociale janë postuar disa video për dy automjete të ndryshme, drejtuesit e të cilëve kryenin manovra të rrezikshme duke u bërë rrezik për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.

Nga vëzhgimet në rrjetin social TikTok është bërë identifikimi dhe ndalimi drejtuesve të automjeteve, së bashku me mjetet përkatëse.

Për kundërvajtjet e kryera ndaj tyre u vendos masa administrative me vlerë 40 mijë lekë të rinj, referuar ligjit numër 8378 datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë i ndryshuar; neni 139 paragrafi 3.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor./Albeu.com/


Shtuar 22.04.2023 12:13