Manja padit në SPAK 6 punonjës të Kadastrës: Rrezikuan jetën e fëmijëve duke lejuar ndërtimet pa leje

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, përmes një deklarate për media ka njoftuar se 6 punonjësit e Kadastrës që lejuan ndërtimin pa leje të katit shtesë në kopshtin për fëmijë në Ishëm, janë kallëzuar në SPAK.

“Ndërtimi pa leje është bërë direkt mbi kopshtin. Pas studim, pa projektim është shtuar një kat mbi kopshtin ku shkojnë fëmijët e kësaj njësie.  Ky objekt vazhdon të jetë në pronësi të njësisë administrative Ishëm, ndërkohë që zyrtarët përkatës që do të çohen sot në SPAK”, ka thënë Manja.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka denoncuar edhe një rast tjetër ku prona shtetërore rezulton në 3 pronësi të ndryshme dhe sipas tij të gjitha këto veprim janë krye nga një person i Kadastrës.

“Rasti i dytë ka të bëjë me regjistrimin e një prone pa dokumentacion. Shteti zhvishet nga pronësia me veprime fiktive nga punonjës shtetëror të kadastrës. Prona shtetërore ndërsa në sistemin online e ka një qytetar i cili s’ka bërë kurrë kërkesë për këtë pronë. Nëpunësja e kadastrës  ka krye veprim mbi kartelën e pasurisë pas kryer veprim në sistem. Një herë kartela është në emër të qytetit, një herë është në emër të shtetit dhe për herën e tretë është në emër të një qytetari tjetër pa dokumente pronësie. Të gjitha këto veprime janë kryer vetëm nga një person. Sigurisht që këto raste janë raste të para që njësia anti-Korrupsion ka përfunduar hetimin dhe dokumentimin me prova dhe si koordinator i kësaj agjencie kam firmosur kallëzimet për SPAK dhe prokurorinë e Tiranës”, tha Manja./albeu.com

 


Shtuar 16.11.2021 12:28