Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 25 pritllit është shprehur e bindur në fitoren e socialistëve. Në prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, Manastirliu u shpreh se PS ka treguar që di të jetë në lartësinë e detyrës gjatë tërmetit dhe pandemisë.
“Jam e bindur që sot më shumë se kurrë, populli do të jetë i mençur në vlerësim dhe gjykim për të vlerësuar më 25 Prill PS. Kjo votë do bëjë njëherë ndarjen mes dy botëve, ndërtimit dhe shkatërrimit, regresit dhe progresit. Jam e bindur që ashtu siç i kemi qëndruar sfidave më të mëdha si tërmeti dhe pandemia, tregoi që ne qëndruam në lartësinë e detyrës.
Sikurse e kemi menaxhuar dhe vijojmë ta menaxhojmë çdo ditë këtë sfidë të pandemisë përmes një ekipi fantastik të mjekëve dhe infermierëve, Jam krenare që Najada si simbol i kësaj lufte është këtu si zë i atyre që luftuan në frontin e parë për të shpëtuar jetë njerëzish.
Jam e bindur që ne në datë 25 do e rinovojmë kontratën me shqiptarët sepse bëjmë atë që themi dhe fjalën e kthejmë në vepra. Ne do t’ia dalim të jemi skuadra fituese dhe lokomotiva që do të drejtojë”, tha Manastirliu.