Malltezi dhe Bektashi në burg, Berisha me masë: Kjo është dosja që tronditi sot Shqipërinë

GJKKO ka dhënë disa masa sigurie gjatë pasdites së sotme, të cilat prekin Sali Berishën dhe familjen e tij.

AlbEu raportoi ekskluzivisht se GJKKO kishte dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Berisha, ndërsa ishte arrestuar më herët në Rinas dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për Korrupsion pasiv, parashikuar në neni 260 i kodit penal.

Krahas Malltezit është arrestuar edhe administrator i kompanisë “Kontakt”, Fatmir Bektashi. Ky i fundit ka qenë ortak i Malltezit në ndërtimin e 19 pallateve në kompleksin “Partizani” disa vite më parë, një aferë që duket se ka shërbyer për GJKKO për të dhënë vendimet e sotme.

Ndërkohë, pak para shpalljes së këtyre vendimeve, ish-kryeministri Berisha ka njoftuar një konferencë urgjente për shtyp.

Çështja“Partizani”

Privatizimi i terreneve të klubit Partizani u konsiderua një procedurë antiligjore që në gjenezë. Ish-pronarëve, u është kthyer një truall për të cilin janë dëmshpërblyer njëherë që në vitin 1940.

Pas pushtimit, italianët ndërtuan aeroportin e Tiranës pikërisht në atë truall. Përmes dekreteve të mbretit Italian Viktor Emanuel dhe mëkëmbësve të tij, u bë shpronësimi ndaj familjeve shqiptare që posedonin truall në “Fushën e Shëngjinit”, siç quhej në atë kohë.

Berisha njofton konferencë urgjente për shtyp pas arrestimit të Malltezit

Në dekretin e firmosur më datë 9 nëntor të vitit 1940, kryeministri i kohës Shefqet Vërlaci, ka urdhëruar kryerjen e pagesës ndaj familjeve pronare. Në planin e zgjerimit të aeroportit, mes pronarëve që prekeshin nga shpronësimi rezultojnë Mahmud dhe Xhemal Begeja, paraardhësit e Jamarbër Malltezit. Në fletoren zyrtare të 15 Majit të vitit 1942, sërish emrat e familjes Begeja shfaqen krah personave të tjerë që shpronësoheshin.

Në një dokument të firmosur në 12 Maj të vitit 1994, ish drejtori I arkivës Luan Malltezi, babai I Jamarbërit, informon bashkinë dhe gjykatën mbi statusin e truallit te fusha e aviacionit. Qartësisht ai sqaron se janë disa dekrete që vërtetojnë shpronësimin dhe dëmshpërblimin e pronarëve.

Pra, familjet pronare që dikur posedonin “Fushën e Shëngjinit” ku u ngrit kompleksi Partizani, nuk mund të trajtoheshin më me ligjin e kthim-kompensimit. Ata janë dëmshpërblyer njëherë që në vitet ’40-të. Pavarësisht ndryshimit të sistemit dhe rendit kushtetues, nuk mund të njihen sërish pronarë për sa kohë janë paguar për shpronësimin.

Në vitet 1995-1999, familjet Begeja, Llagami, Alimehmeti, Vaqarri dhe Saliaga morën në dorë vendimet e para pozitive nga AKKP. Por, ligji e ndalonte privatizimin e pronave që zotëroheshin nga Minsitria e Mbrojtjes. Pas vitit 2005, nisi finalizimi i planit të mirëmenduar prej vitesh. Fillimisht nisën sulmet brenda klubit Partizani që kishte varësi nga Ministria e Mbrojtjes.

Disa muaj pas spastrimeve në klubin e kuq, Jamarbër Malltezi shfaqet hapur në këtë aferë. Në fillim të vitit 2006, ai nënshkruan një sërë prokurash përfaqësimi me 5 familjet që pretendonin pronën.

Malltezi emërohet përfaqësues i përgjithshëm dhe merr në dorë gjithçka. Përmes këtyre prokurave, ai u dha një mesazh të qartë ministrave: kishin të bënin me dhëndrin e kryeministrit. Plani i asaj që luhej ishte i qartë. Zona kishte një vlerë mjaft të madhe për vetë pozitën gjeografike ku ndodhej, shumë pranë qendrës së qytetit.

Familjet pretenduese i jepnin të drejtë Jamarbër Malltezit deri për negocimin e kontratave të shkëmbimit, pra, kontrata me firmat e ndërtimit për ngritjen e kullave, siç edhe ndodhi më pas. Të gjithë këtë shërbim të vyer sigurisht që Jamarbër Malltezi nuk e bënte falas. Ai kishte synime dhe ide të qarta mbi ato që donte të përfitonte. Fillimisht, ai futet në lojë me një kapital deri në 5 % të pasurisë së paluajtshme që do të përfitonte si shpërblim. Gjatë rrugës Malltezi shndërrohet në përfituesin kryesor, siç do të zbulohet vite më vonë.

Pas vendimeve të viteve 1995-1999, 5 familjet pretenduese aplikojnë sërish në Agjencinë e Pronës. Veprimet e institucioneve dukeshin të koordinuara në favor të tyre. Në kohë rekord, brenda 6 ditësh, Komisioni i Kthimit të Pronave merr 4 vendime pozitive.

Konkretisht vendimet numër 6 dhe 7 të datës 21 Mars 2007, vendimi numër 8 i datës 23 mars dhe vendimi numër 9 I datës 26 mars 2007. Vendimi numër 6, I 21 marsit të vitit 2007 I përket kthimit të pronës për familjen Begeja, ku rezulton pjesëtar Jamarbër Malltezi. Firmosja e kthimit të pronës për familjen Begeja në vitin 2007 kishte si referencë një tjetër vendim të AKKP të 25 Prillit të vitit1996. Por, aty ka një problem.

Prona rezulton e hipotekuar në regjistrin numër 299 datë 11 prill 1935. Në fakt, siç vërtetuam përmes dokumenteve, në vitin 1940 është bërë shpronësimi i familjeve për ndërtimin e aeroportit të Tiranës. Këto dokumente nuk janë administruar në dosjen e privatizimit të klubit Partizani.Dyshohet se ato janë zhdukur.

Pra, Jamarbër Malltezi ka përdorur dokumente të falsifikuara për përfitimin e pronës. Drejtuesit e kohës në Agjencinë e Pronave në rastin më të mirë kanë vepruar me sy mbyllur, dhe në rastin më të keq kanë shkelur ligjin me vetëdije pas presioneve.

Katër vendimet në favor të Malltezit dhe familjeve të tjera në vitin 2007 mbajnë firmën e drejtoreshës së Agjencisë në atë kohë Dhurata Hoxha. Hoxha mbahet mend për një padi ndaj saj nga disa familje që u nxorrën në rrugë në vitin 2013. Godina ku ata banonin në rrugën “Margarita Tutulani” në Tiranë iu kthye një personi që pretendonte se ishte pronar. Por, familjet e dëmtuara e paditën Hoxhën për falsifikim dokumentesh pasi përfituesi ishte pronar vetëm I një pjese të pronës siç u zbulua më pas. Me firmën e Hoxhës iu kthye e gjitha, duke nxjerrë në rrugë 13 familje.

Pavarësisht vendimeve pozitive ndaj pretenduesve, trualli i Partizanit kishte interes publik dhe nuk mund të kthehej. Në lojë vihet vetë kryeministri Sali Berisha. Në mbledhjen e qeverisë së datës 21 nëntor 2007, merret vendimi me numër 794 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe për procedurën e shitjes”. Ky vendim, vjen në harmoni të plotë me aktet e tjera që favorizonin Malltezin.

Në fakt, janë të paktën 213 prona të ushtrisë për të cilat janë shfaqur pretendime nga ish-pronarët e para regjimit. Në asnjë rast nuk është marrë vendim për kthimin e tyre, thuhet në padinë e depozituar në SPAK nga kreu i grupit socialist Taulant Balla.

Pas miratimit të VKM-së numër 794 që i hap rrugë privatizimit, pa humbur kohë ndërmerret një tjetër akt. Me shkresën që mban numrin 9508, datë 18 dhjetor 2007, Ministri i Ekonomisë së kohës Genc Ruli urdhëron ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Objektit me qëllim privatizimi.

Vlerësimi mban firmën e kontabilistëve Elvira Aliaj dhe Sali Preçi. Vlera totale e përllogaritur është 720 milionë lekë të reja, ose, 7.2 milionë dollarë. (13) Prona shtrihet në një hapësirë totale prej 26.524 metrash katrorë. 775 metër katrorë ishin nën ndërtim.

Trualli vlerësohet 7.1 milionë dollarë. Ndërtimet civile dhe fushat 100 mijë dollarë. Aty përfshihen një hotel me 4 kate, dhomat e dusheve dhe garderobës së sportistëve, objekti njëkatësh I dhomave të zhveshjes, 3 fusha futbolli dhe rrethimi. Pra, të gjitha këto asete janë vlerësuar për një shumë qesharake prej 100 mijë dollarësh.

Sipërfaqja totale e ndërtimeve civile të kompleksit në të gjitha katet ishte 1 mijë e 613 metër katror. Nëse llogarisim koston minimale të ndërtimit 40 mijë lekë për metër katror, atëherë godinat kapin një vlerë prej 64.5 milionë lekësh.

Thënë ndryshe, rreth 600 mijë dollarë. Nëse llogarisim edhe 3 fushat e sportit vlera shkon rreth 900 mijë dollar. Pra, 9 herë më shumë se vlera që nxorën ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë në atë kohë. Në raport, ata pranojnë mangësitë e vlerësimit:

Ekspertët pranojnë se në raport nuk janë respektuar kriteret e VKM-së numër 794 datë 21 nëntor 2007 që përcakton se vlerësimi duhet bërë sipas vlerës reale të tregut.  Kontabilistët Aliaj dhe Preçi justifikohen duke nënvizuar se kanë ndjekur standartet evropiane të vlerësimit dhe nuk kanë asnjë rast të ngjashëm krahasimor.

Pra, vlerësuesit e Ministrisë së Ekonomisë që drejtohej nga Genc Ruli, i trembeshin botimit të këtij ekspertimi problematik. Privatizimi i terreneve të klubit Partizani lidhej me një plan të qartë, të mirëmenduar prej kohësh për ta kthyer truallin në një kompleks të madh pallatesh. Për të shmangur çdo pengesë gjatë rrugës, Jamarbër Malltezi I bashkon të gjitha familjet pronare në një marrëveshje të nënshkruar në 29 shtator të vitit 2008.

Shuma që do të duhej të paguanin ishte e papërfillshme në raport me vlerën reale të aseteve, siç argumentuam në pjesën e dytë të emisionit. Referuar raportit të kontabilistëve ish-pronarët do të paguanin 10,1 milionë lekë, ose 100 mijë dollarë për asetet që vlenin rreth 900 mijë dollarë.

Ata nuk do të paguanin asnjë lekë për truallin që vlente plot 7.1 milionë dollarë, pasi trajtoheshin në këtë privatizim si pronarë, pavarësisht se në vitin 1940, paraardhësit e tyre ishin dëmshpërblyer për të njëjtën pronë.

Ministri i Financave Ridvan Bode, një prej njerëzve më të afërt të Sali Berishës hedh një tjetër hap për ti dorëzuar pronën Jamarbër Malltezit. Përmes dokumentit që mban datën 26 janar 2009, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, nën varësinë e Ministrisë së Financave lëshon autorizimin për kalim pronësie.

Tashmë topi kalon në anën e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Në datën 15 tetor 2009 ai firmos një autorizim duke i deleguar gjeneralit Xhemal Gjunkshi kompetencën për shitjen e pronës.

Në atë kohë, Gjunkshi ishte komandant i Komandës Mbështetëse. Më pas ai do të shpërblehej duke u emëruar Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin 2017 Gjunkshi përfshihet në listat e kandidatëve të Partisë Demokratike duke u zgjedhur deputet.

Pa humbur kohë, të nesërmen e prokurës që u firmos nga Imami, Xhemal Gjunkshi i dorëzon pronën Jamarbër Malltezit dhe përfaqësuesve të tjerë të familjeve. Akti i dorëzimit mban datën 16 tetor 2009. Këtu kemi një tjetër shkelje të rëndë.

Prona është dorëzuar para se të nënshkruhet kontrata e shitjes. Duket se institucionet kanë vepruar me sy mbyllur, nën presionin e dhëndrit të kryeministrit. Akti I shitjes mban datën 21 Tetor 2009. Pra, kontrata është firmosur një javë pasi dorëzimi i pronës te Malltezi ishte bërë fakt.

Vlera e kontratës ishte 10 milionë e 109 mijë lekë. Në valutë u shlyen vetëm 2 milionë e 21 mijë e 800 lekë. Biznesmeni Fatmir Bektashi, del garant për shlyerjen e kësaj shume. Pjesa tjetër u mbulua me bono privatizimi.

Në funksion të planit të shndërrimit të fushave në kompleks pallatesh shumëkatëshe, më 19 Maj të vitit 2008 themelohet kompania “HOMEPLAN”. Aksioneri i vetëm është Fatmir Bektashi, i njëjti që doli garant për shlyerjen e parave për blerjen e terreneve të klubit përmes kompanisë tjetër të tij “Kontakt” SHPK.

Shuma në fjalë është shlyer nga kompania “Kontakt” më 4 Shkurt të vitit 2009. Ndërkohë, diferenca e mbetur prej 8 milionë e 200 mijë lekësh është shlyer përmes bonove të privatizimit nga Xhimi Begeja, një tjetër person që më vonë do të shfaqej si aksioner në kompaninë ndërtuese të pallateve “Homeplan” me 25 % të kuotave.

Në fakt, pas kompanisë “Homeplan” qëndronte vetë Jamarbër Malltezi.

Gjatë qeverisjes së djathtë, ajo u komandua si kryetare e Gjykatës së Durrësit. Kompania “Homeplan” e kontrolluar nga Jamarbër Malltezi siguron lejen e ndërtimit nga Bashkia e Tiranës për 17 kulla. Dokumenti i firmosur nga kryebashkiaku i kohës Lulzim Basha mban datën 18 Gusht 2013.

6 muaj pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, në 23 Janar të vitit 2014 Jamarbër Malltezi shtohet aksioner me 35 % në kompaninë ndërtuese “Homeplan”. Ishte periudha kur nisi ndërtimi I kompleksit dhe u shfaq hapur si pronar. Ai pagoi një shumë qesharake për aksionet prej 35 mijë lekësh të reja. Kontrata e blerjes së aksioneve mban datën 21 Janar 2014 ndërkohë ajo u depozitua në QKB vetëm në 27 Dhjetor të vitit 2018. Pra, pikërisht kur përfundoi ndërtimi i kompleksit të pallateve dhe fillon vjelja e parave nga shitjet.

Malltezi, bleu për 35 mijë lekë aksionet e një kompanie që sot zotëron një kompleks pallatesh me vlerë 150 milionë euro. Kjo, nuk ka asnjë llogjikë ekonomike. Mbajtja e fshehtë e aksioneve që I zotëron qysh kur nisi ndërtimi I pallateve e ka një shpjegim.

E gjitha është bërë për të fshehur burimin e të ardhurave në këtë investim kolosal. Në fakt, Malltezi ishte njeriu që kontrollonte kompaninë edhe pse zyrtarisht zotëron vetëm 35 % të aksioneve.

Ai ishte njeriu që udhëhoqi dhe arriti të privatizojë terrenet sportive duke përdorur influencën te qeveria e drejtuar nga vjehrri I tij Sali Berisha.

Malltezi ishte njeriu që siguroi lejen e ndërtimit, e po ashtu, ishte njeriu që orientonte veprimtarinë e kompanisë “Homeplan”. Në kompani, në të njëjtën ditë me Malltezin u bë aksioner me 25 % edhe Xhimi Begeja.

Shuma ishte sërish qesharake, vetëm 25 mijë lekë. Kujtojmë se edhe Jamarbër Malltezi u përfshi në këtë aferë si pasardhës i familjes Begeja. Pra, të gjitha faktet të orientojnë qartazi në një drejtim: Dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha kontrollon kompaninë që ka ndërtuar pallate me vlerë 150 milionë euro.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit për kompanitë e Jamarbër Malltezit, shohim se ai është pronar edhe i subjektit “Magnet IMO” me adresë në rrugën “Frosina Plaku”, pikërisht në kompleksin me të njëjtin emër të ndërtuar nga Malltezi.

Shoqëria “Magnet IMO” është themeluar për administrimin e 17 pallateve. Pra, Malltezi vjel nga banorët e kompleksit edhe paratë e mirëmbajtjes së hapësirave të jashtme, lulishteve, ambjentet e përbashkëta, ashensorit etj. Me sa duket, ai i ka marrë masat që kompleksi të jetë një minierë parash për familjen edhe pasi të ketë shitur apartamentet dhjetëra milionë euro. Dhëndri i ish kryeministrit figuron pronar edhe i kompanisë tjetër “Magnet GYM & FIT”. Në kompleks Malltezi ka hapur një palestër.

Ai zotëron 60 % të aksioneve ndërsa pjesa tjetër ka pronar shtetasin Ervin Kalemi. Palestra ndodhet në katin e dytë të pallatit më luksoz të kompleksit. Gjithçka aty monitorohet nga kamerat e sigurisë. Pas Mediut dhe shumë zyrtarëve të tjerë, a ka ardhur radha që në oborret e SPAK të shohim, dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi të tregojë të vërtetën e tij.


Shtuar 21.10.2023 20:14