Mali i Zi po premton çmime për pushuesit nga Kosova që zgjedhin për t’i kaluar pushimet verore. Premtimi nga ky shtet është se do të bëjnë përpjekje që çmimet të mbesin sikurse në vitin e kaluar.
Ljiljana Çukiq nga Organizata Nacionale e Turizmit premtoi çmime të lira për pushuesit nga Kosova që zgjedhin Malin e Zi për t’i kaluar pushimet verore. Çukiq ka thënë se do të bëjnë përpjekje që çmimet të mbesin sikurse në vitin e kaluar.
“Tregu i Kosovës është shumë i rëndësishme dhe mysafirët e Kosovës i shohim shumë të rëndësishëm. Viteve të fundit është rritur numri i vizitorëve. Mali i Zi e ka finalizuar ofertën për këtë vit dhe është munduar t’i mbajë çmimet sikur vitin e kaluar, pavarësisht se në këtë kohë çdo gjë po shtrenjtohet. Mali i Zi është i vogël, por është i pasur me oferta të llojllojshme. Ne iu mirëpresim me kënaqësi”, ka thënë Çukiq të premten gjatë prezantimit të ofertës turistike verore 2022 në Prishtinë.
Ndërsa, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, theksoi se si Ulqini theu rekordin e vizitave vitin e kaluar, duke potencuar faktin se qyteti shqiptar është edhe më i lirë se Prishtina.
“Vitin e kaluar mediat e Kosovës e kanë bërë të mundur që Ulqini të thyejë rekord me vizitorët. Do të bëjmë përpjekje që në Ulqin çmimet të mos të rriten në limite të pakapshme. Ulqini është më i lirë se Prishtina. Çmimet janë më të lira se në disa restorante në Prishtinë”, ka thënë Hajdinaga.
E Hysen Sogojeva, përfaqësues i Odës së Hotelierëve të Kosovës, ka thënë se pret befasi që sivjet të thyhet rekordi i vizitorëve nga Kosova në Mal të Zi.
“Të gjitha agjencitë turistike janë të hapura për bashkëpunim”, ka thënë Sogojeva.
Në këtë prezantim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Cetinjes, Budvës, Podgoricësm Tivatit e Tivarit./monitor
*Titulli i redaksisë, titulli origjinal: Mali i Zi premton çmime të lira për pushuesit nga Kosova