Macron e “mori për veshi” në Paris, Rama i jep kompanisë franceze Parkun Fotovoltaik

Ditën e sotme, nëpëmjet një konference LIVE të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, qeveria bëri të ditur se ka qenë kompania franceze Voltalia, e cila u shpall fituese në garën e ndërtimit të impiantit fotovoltaik të Spitallës.

Sipas Ballukut, ishin 5 kompani që garonin, por vetëm dy prej tyre arritën të përmbushnin kushtet tekniko-ligjore, ndërsa zgjedhja e kompanisë fituese ishte bërë në bazë të çmimit të ofruar.

“Kemi bërë një rrugëtim të gjatë nga hapja e anakandit në nëntor 2020 dhe jemi mbështetur nga BERZH. Mbasi u mbyll afati i dorëzimit të ofertave në datën 1 shkurt dhe duke nisur nga data 8 shkurt patëm mundësinë të shihnim ofertat teknike nga 5 kompani të mëdha që kanë eksperiencë në sektor dhe fakti që kompani të mëdha që kanë eksperiencë kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri është një tregues domethënës.

Në shumë shpejt do nisim një formë të re ankandesh që janë hibride dhe do të jenë diellore dhe eolike në një. Do të jetë një anakand i ri  duke qenë se shteti nuk do angazhohet me vendosjen e tokës në dispozicion  të  investitorëve por do të jenë këta të fundit që vijnë tek ne me propozimin konkret dhe ofertën financiare”-është shprehur Balluku.

Ndërkohë kujtojmë se kryeministri Edi Rama vetëm tre ditë më parë pati një vizitë në Francë, ku u takua me Presidentin Macron.

Duket se takimi me të ka ndikuar që të jetë kompania franceze ajo që do të marrë në dorë parkun voltaik.

Parku Fotovoltaik i Spitallës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh dhe do të ketë një kapacitet prodhues prej 100 Megavatësh. Ky park do të ngrihet në zonën industriale të Bashkisë së Durrësit, e cila vlerësohet nga ekspertët si një zonë me një rrezatim të lartë për të plotësuar kapacitet prodhuese të parashikuara. /albeu.com/

 


Shtuar 25.03.2021 14:33