Një luftë midis bandave rivale në një burg në Ekuador u përshkallëzua në një trazirë në shkallë të gjerë që la të vdekur të paktën 43 të burgosur dhe u mundësoi më shumë se 200 personave të arratiseshin.
Sipas Skynews, Ministri i Brendshëm Patricio Carrillo tha se një grup të burgosurish la qelitë e tyre për të sulmuar një tjetër bandë brenda burgut Bellavista në Santo Domingo, rreth 70 km në perëndim të kryeqytetit Quito. Ndërsa 112 të burgosur janë rikapur, 108 të burgosur janë ende në kërkim.
Carillo tha se armë zjarri, eksplozivë dhe armë të tjera u zbuluan pasi ekipet e policisë ndihmuan për të rimarrë kontrollin e burgut. Shumica e të vrarëve ishin therur me thikë për vdekje, tha Carillo.
Komandanti i policisë Fausto Salinas tha se një gardh sigurie u ndërtua rreth burgut pasi të burgosurit u arratisën.
Trazirat ishin incidenti i fundit i dhunës në burgje në Ekuador, për të cilin zyrtarët kanë fajësuar përleshjet për kontrollin e territorit dhe rrugët e trafikut të drogës. Të paktën 316 të burgosur vdiqën në përleshjet në burgjet e Ekuadorit gjatë vitit 2021, sipas një raporti të Amnesty International. Këtu përfshihen 119 që vdiqën në shtator në atë që u përshkrua si masakra më e keqe e burgjeve në vend.
Një muaj pas publikimit të raportit, 20 persona vdiqën pasi bandat e burgut të armatosur me armë dhe thika u përleshën në Turi, rreth 190 milje në jug të kryeqytetit.
Komisioni Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar qeverinë për braktisjen e sistemit të burgjeve, i cili është i dëmtuar nga kushtet e këqija për të burgosurit dhe mungesa e një politike gjithëpërfshirëse.
Burgjet e vendit, të cilat strehojnë rreth 35,000 njerëz, janë të mbipopulluara me rreth 15% përtej kapacitetit maksimal. Për të reduktuar dhunën, presidenti konservator Guillermo Lasso ka premtuar një proces qetësimi të bandave, lirim të parakohshëm të të burgosurve dhe reforma politike dhe sociale./albeu.com