LUFTA/ Përshkallëzohet situata në kufirin mes Izraelit dhe Libanit

Luftëtarët libanezë të Hezbollahut ndërmorën sulme kundër trupave izraelite të vendosura në zonat pranë kufirit të dielën dhe ndaj një fshati aty pranë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ndaj Libanit ndërsa paqeruajtësit e OKB-së paralajmëruan se përleshjet kufitare po përshkallëzoheshin.

Shkëmbimet e zjarrit sporadik përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin gjatë javës së kaluar kanë ngritur shqetësime se luftimet me militantët e Hamasit në Gaza mund të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë.

Sulmi i Hezbollahut në Shtula, një komunitet bujqësor pranë vijës kufitare, la të vrarë një person dhe plagosi tre të tjerë, thanë grupi militant dhe mjekët izraelitë.

Java e dytë e tensioneve ndërkufitare është momenti më kulmor i përshkallëzimeve që nga viti 2006. Hezbollahu njoftoi se kishte qëlluar me raketa kazermat ushtarake në Hanita të Izraelit dhe se kishte shkaktuar viktima në “rradhët e armikut”.

Ushtria izraelite tha se kishte kryer sulme në Liban në shenjë hakmarrjeje dhe se ka ndaluar qasjen e publikut në një perimetër prej 4 kilometrash nga kufiri libanez. Tre burime sigurie konfirmuan për agjencinë e lajmeve Reuters se artileria izraelite kishte goditur disa zona në jug.

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al Qassam, tha se kishte lëshuar 20 raketa nga Libani mbi dy vendbanime izraelite.

Forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara, UNIFIL, tha se selia e saj në Libanin jugor ishte goditur nga një raketë, por nuk kishte të lënduar. UNIFIL tha se po punonte për të përcaktuar autorin.

“Ne vazhdojmë të bisedojmë në mënyrë aktive me autoritetet nga të dyja palët… por për fat të keq, pavarësisht përpjekjeve tona, përshkallëzimi ushtarak vazhdon”, thuhet në një deklaratë.

Ministri izraelit i mbrojtjes tha të dielën se Izraeli nuk ka interes të bëjë luftë në frontin e tij verior dhe se nëse Hezbollahu përmbahet, atëherë Izraeli do ta mbajë situatën përgjatë kufirit të pandryshuar.

“Ne nuk kemi asnjë interes për një luftë në veri. Ne nuk duam ta përshkallëzojmë situatën”, u tha gazetarëve Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant. “Nëse Hezbollahu zgjedh rrugën e luftës, do të paguajë një çmim shumë të rëndë. Por nëse përmbahet ne do ta respektojmë këtë dhe do ta mbajmë situatën ashtu siç është”, tha zoti Gallant.

Hezbollahu ka thënë se është gati të luftojë kundër Izraelit dhe se nuk do të ndikohet nga thirrjet e shteteve arabe dhe fuqive të huaja që të qëndrojë mënjanë.

Burimet thonë se Hezbollahu ka bërë lëvizje të kufizuara, duke parandaluar një përhapje të madhe në Liban dhe duke i mbajtur forcat izraelite të angazhuara./VOA


Shtuar 15.10.2023 22:38