Lufta e Tretë Botërore në Kosovë? Clark jep përgjigjen interesante

Një natë pas kapitullimit të Sllobodan Millosheviqit, natën e 12 qershorit të vitit 1999 një armatë e ushtarëve rusë ia kishin mësy Aeroportit të Prishtinës në tentimin e tyre për të marrë kontrollin e aeroportit.

Prezenca e tyre i kapi në befasi trupat e NATO-s, të cilët kishin në plan të zbarkonin në Aeroportin e Prishtinës pas 78 ditësh fushatë të bombardimeve.

Një konfrontim i mundshëm mes forcave aleate të NATO-s dhe atyre ruse kishte rritur shqetësimet deri në atë masë sa që pati të tilla deklarata se aty mund të niste edhe Lufta e Tretë Botërore.

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, komandant i forcave të NATO-së në atë kohë, kishte urdhëruar ndaljen e trupave ruse, largimin e tyre nga aeroporti dhe bllokimin e furnizimit.

23-vjet më pas kur Clark kujton këtë ngjarje, me qetësi thotë se s’do të mund të ndodhte diçka e tillë. Clark për Express ka thënë se frika se mund të shpërthente një Luftë e Tretë aty ishte më shumë një shqetësim i ekzagjeruar i gjeneralit britanik që ishte në stres.

“Nuk kishte një rrezik të tillë. Ai ishte thjesht një shqetësim i ekzagjeruar që e shprehu një gjeneral britanik duke qenë nën stres të madh”, ka qenë përgjigjja e Clarkut./GazetaExpress/