Liverpool nën presion për Salah, arabët ofrojnë 150 milionë euro

Merkatoja e verës po hyn në ditët e fundit kështu që koha në dispozicion për klubet e futbollit që të arrijnë objektivat e tyre është e limituar. Në këtë dritare të tregut të futbollistëve kanë bërë bujë transferimet në Arabinë Saudite, por duket se klubet e sheikëve ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit.

Siç konfirmohet nga “CBS Sports”, Al-Ittihad ka hedhur themelet për të siguruar shërbimet e egjiptianit Mohamed Salah. Edhe pse nga Liverpooli reagimet kanë qenë të prera, drejtuesit e Al Ittihad vazhdojnë të këmbëngulim për “Faraonin”.

“Mo Salah është lojtar i Liverpoolit dhe ai është thelbësor për gjithçka që bëjmë. Nëse do të kishte diçka, përgjigjja do të ishte jo. Filozofia ime e jetës është që unë mendoj për një problem kur e kam atë dhe nuk ka absolutisht asgjë në këtë moment”, deklaroi trajneri gjerman, Jurgen Klopp për situatën e egjiptianit.

Mirëpo nëse sulmuesi këmbëngul për t’u larguar, do ishte e kotë për drejtuesit e “The Reds” që të mbanin me pahir një lojtar i cili nuk gjen më motiv për të dhënë maksimumin.


Shtuar 29.08.2023 14:22