Linda Rama flet mes lotësh për Anetën e ndjerë: Bëja çdo ditë biseda të gjata (FOTO LAJM)

Në korrik të 2020-s, kryeministri Edi Rama humbi nënën e tij, të ndjerën Aneta Rama. Edhe pse është bërë gati 1 vit nga humbja e saj, plaga vazhdon të mbetet e hapur në familjen Rama. E ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Ilva Now”, Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, foli mes lotësh kur u pyet për marrëdhënien që kishte me vjehrrën.

Duke u përpjekur që të mbante lotët, ajo tha se nëse Zaho do e shikonte do i thoshte: “Mami mos qaj”.

Më pas ajo tregoi se gjatë fushatës politike e ndjeu shumë mungesën e Anetës, për faktin se bisedat me të i kishte të përditshme dhe shumë të gjata.

“Ajo që mund të them unë është që ne jemi akoma me plagë të hapur për humbjen e mamasë së Edit dhe fushata ishte shumë afër dhe na e bëri më evidente mungesën e saj, veçanërisht mua, që në fakt bisedat me mamanë e Edit i kisha të përditshme, i kisha shumë të gjata. Mendoj që kishte një problem me ne sepse ne, mamaja e Edit na kishte bindur në kohë që nuk do ikte asnjëherë. Ajo ishte përçmuese ndaj dhimbjes, ishte e pakrahasueshme në përkushtimin e saj. Ishte shumë kurajoze në të gjitha këto sfidat që e vinte shëndeti i saj i brishtë dhe do thosha ishte jashtëzakonisht dinjitoze dhe mund të them edhe këtë që ajo ishte madhështore në mënyrën se si e përballoi të papërballueshmen për aq shumë gjatë për shkak të gjuhës shumë të egër politike duke mbetur mbështetja më e madhe ndaj Edit dhe kërkuesja më e madhe ndaj tij”, tha Linda Rama e prekur.

Shtuar 19.06.2021 08:52