“Lëpiheni për një rrogë”, Dashnor Sula irritohet me gardistët: Turp të keni, turp!

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka shpërthyer me tone tepër të forta ndaj Gardës, pasi kjo e fundit nuk i lejoi që të futen në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Ai u ka thënë atyre se duhet të kenë turp që ‘lëpihen për një rrogë’, ndërsa edhe pse u lejua të futej në Kryesi, vetëm ai, vijonte të fliste me tone të larta.

“Lëpiheni për një rrogë, turp të keni! Turp të keni!  E shkatërruat Shqipërinë, kanë ikur të gjithë. Bëni fresk pushtetit, turp të keni të gjithë, turp të keni, turp, diktaturë, turp të keni….”, është shprehur Sula.

Dita e sotme nis me një axhendë të ngjeshur në komisione. Në rendin e ditës janë parashikuar mbledhja e 5 komisioneve parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë është projekt-buxheti i vitit 2024.

Për shkak se opozita ka vendosur të bllokojë komisionet, PS vendosi që mbledhjet të zhvillohen online.

Për shkak të përplasjeve, janë në total 8 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Të premten e 3 nëntorit u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho. Ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan, kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi.


Shtuar 6.11.2023 11:40