Lënia në burg e Selim Çekajt, avokati: Vendim skandaloz nga gjyqtarë pa dinjitet!

“Një njeri i nderuar gjithë jetën, 72 vjeç, mësues ka qenë, nuk di as anglisht, as spanjisht, si u lidh ai me trafikantët?! Me kë kontaktoi?! Me kë njerëz komunikoi?! ”

Pas vendimit të Gjykatës së Durrësit që caktoi “arrest me burg” për Selim Çekajn, ka reaguar një prej avokatëve të tij Neshat Fana.

Ky i fundit, në një prononcim e cilëson vendimin si skandaloz ndërsa i konsideron gjyqtarët pa integritet profesional dhe moral.

Avokati ngre dyshime se pas vendimit luhet një aktivitet kriminal dhe është piketuar një kompani e pambrojtur nga mafia ndërkombëtare, për t’i hedhur ushqim shtetit.

Absolutisht i padrejtë dhe haptasi i paligjshëm. Midis Selim Çekajt dhe kompanisë nga Ekuadori, ka një kontratë e cila në mënyrë eksplicite shkruan në nenin 7 që përgjegjësinë për kontejnerin nga Ekuadori deri në futjen në magazinë e mban shitësi.

Pronari i madh, pritësi i madh, ka të drejtë të kontaktojë me kontejnerin vetëm kur futet në magazinë dhe vetëm atëherë ka të drejtë ta hapi për të parë sasinë dhe cilësinë e mallit. Asnjë përgjegjësi tjetër nuk ka. Është e shkruar në kontratë. Nuk ka asnjë provë që ky person të jetë marrë me atë porosi. Të ketë një telefonatë.

Një njeri i nderuar gjithë jetën, 72 vjeç, mësues ka qenë, nuk di as anglisht, as spanjisht, si u lidh ai me trafikantët?! Me kë kontaktoi?! Me kë njerëz komunikoi?! Ai kontejner ka 2 muaj që vërtitet nga Ekuadori, në Marok, në Turqi, në Greqi. Iu kontrollua magazina ndërkohë që nuk u gjet asnjë trapano, asnjë vegël që do ta hapte.

Është një marrëzi. Këta janë gjyqtarë pa dinjitet profesional dhe moral. S’mund t‘i vësh një plaku me 100 sëmundje, me 12 ilaçe… Është një vendim skandaloz. Është një aktivitet kriminal që luhet diku tjetër, dhe është piketuar një kompani e pambrojtur nga mafia ndërkombëtare për t‘i hedhur ushqim shtetit për të kapur një sasi narkotikësh dhe për t‘u hapur rrugën sasive të tjera”, tha ai.


Shtuar 2.04.2021 16:19