Leli u përgjigjet këshilltarëve: Mund të diskutojmë online më 24 qershor

Pas kërkesës së këshillit bashkiak të Vlorës për një mbledhje fizike, ka reaguar kryebashkiaku Dritan Leli, i cili sërish ka kundërshtuar duke thënë se një gjë e tillë është e pamundur për shkak të masave anti-Covid.

Përmes një videomesazhi në Zoom, ai u është përgjigjur këshilltarëve duke thënë se më 24 qershor mund të zhvillojnë një mbledhje online.

“Më 21 qershor unë i kam kthyer një përgjigje kryetares së këshillt Bashkiak, se administrata dhe kryetari i bashkisë e konsideron me përgjegjësi morale dhe rolin e Bashkisë si organ të përfaqësimit të Bashkisë. Unë e konsideroj keqkuptim faktin e refuzimit të mbledhjes nga kryebashkiaku dhe që kryetari i bashkisë dhe administrata kanë qenë online për korrektesë online. Gjithashtu është dhënë një informacion sipas rendit të ditës, nuk ka qenë qëllim i kryebashkiakut për të penguar futjen në qendrën e Teatrit Petro Marko.

Duke besuar në mirëkuptimin tuaj dhe vlerësuar kërkesën për mbledhje në funksion të përmirësimit të punës së Administratës së Bashkisë në shërbim ndaj qytetarëve do të sugjeronim që duke qenë se në datë 24.06.2021 është mbledhja e radhës e Këshillit të Bashkisë online në platformën Zoom sipas njoftimit me nr.9624 prot, datë 21.06.2021, në këtë mbledhje t’i bashkohet rendit të ditës edhe rendi i ditës së mbledhjes jashtë radhe të datës 22.06.2021”, ka thënë Leli.

Kujtojmë që sot Sekretari i Këshillit Bashkiak Agron Gjipali sot ka njoftuar se zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka dhënë leje për të zhvilluar një mbledhje fizike.

Këshilli Bashkiak dëshiron të zhvillojë mbledhje me Lelin për të shprehur pakënaqësitë që kanë ndaj tij. Marrëdhëniet e Lelit me PS dhe kryeministrin Edi Rama janë ftohur që në mars të këtij viti, ku Leli nuk pranoi të kandidonte për deputet, por zgjodhi të mos linte bashkinë./albeu.com

 

Shtuar 22.06.2021 10:52