Lejuan transportin e paligjshëm të 410 bagëtive, në hetim katër veterinerë në Korçë e Sarandë

Katër veterinerë janë vënë në hetim nga Policia e Korçës pasi kanë lejuar transportimin e paligjshëm të 410 bagëtive të imta, në kundërshtim me urdhrin e Ministrit të Bujqësisë për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së tyre, për shkak të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, Policia e Korçës, “referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit A. Sh., 58 vjeç, D. L., 53 vjeç, M. N., 53 vjeçe, dhe S. I., 57 vjeç, banues në Sarandë dhe në Korçë, veterinerë në institucionet vendore në Korçë dhe në Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë marrë masa për zbatimin e urdhrit të ministrit të Bujqësisë “Për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi, në territorin e Republikës së Shqipërisë””.


Shtuar 27.06.2025 16:29