Lefteri hipi në makinë dhe u futën në tunel..! Zbardhet dosja e SPAK, lidhja e Allës me biznesmenin që i dha tenderin

Është faktuar lidhja e kryetarit të arrestuar të bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla me administratorin e kompanisë fituese të tenderit të ujësjellës, Aqif Konesha, që solli arrestimin e 13 zyrtarëve 13 ditë më parë.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Ora News, rezulton se gjatë hetimit, prokurorët e SPAK-ut kanë kapur në një lokal Aqif Koneshën dhe Lefter Allën si dhe janë provuar edhe udhëtimet e tyre jashtë vendit.

Kompania “2AF” e Aqif Koneshës, është skualifikuar fillimisht nga gara dhe pas disa kohësh, rezulton se ka bërë një bashkim kompanish duke e u shpallur fituese për kryerjen e punimeve në ujësjellësin e këtij qyteti.

Pjesë nga dosja hetimore e SPAK-ut

“Nga kqyrja e sistemit TIMS në lidhje me hyrje-daljet nga territori i RSH të shtetasit Lefter Alla evidentohet që shtetasi Lefter Alla në datë 16.04.2021, ka dalë nga territori i RSH me automjetin me Targë AA009XH. Ky automjet rezulton të jetë i regjistruar në emër të shoqërisë “2 AF ALBANIA GROUP”. Ndërsa në datë 09.03.2020, ka dalë nga territori i RSH, me automjetin me Targë AA594ZF, i cili është në pronësi të shoqërisë “2 AF ALBANIA GROUP”. Në datë 09.03.2020, rezulton që bashkë me shtetasin Lefter Alla, të ketë udhëtuar në të njëjtin automjet edhe shtetasi Aqif Konesha, i cili është administratori i subjektit tregtar “2 AF ALBANIA GROUP”.

Në datën 03.03.2022, ora 10.20′ konstatohen dy punëtorë të firmës “2 AF ALBANIA GRUP”, duke punuar në rrugë tek Shëtitorja e Bulqizës. Ora 10.30′ konstatohen te Shëtitorja e Bulqizës në afërsi të spitalit, duke kryer punime në lëvizje, një pjesë të ndaluara, automjeti tip Mercedes Benc ngjyra vishnje, me targa AA 316 DI, një automjet “Varisk” ngjyra e verdhë, një automjet tip “Kamionçin” ngjyrë e bardhë, me targa AA 604 DM, dhe automjeti tip “Citroen”, ngjyra gri, me targa AA 901 RX, në lëvizje, si dhe disa tuba betoni, dhe shtylla betoni.

Konstatohet shtetasi Alban Konesha (vëllai i shtetasit Aqif Konesha) në automjetin me targa AA 952 RC, duke biseduar me drejtuesin e automjetit me targa AA 901 RX Ora 16.20′ konstatohet shtetasi Lefter Alla, të dali nga Bashkia Bulqizë, ecën në këmbë për gati 10 metra dhe hyn në ambientet e brendshme te një lokali me mbishkrimin “Vip Beer”. Ora 16.39′ konstatohet shtetasi Aqif Konesha, i cili vjen me automjetin tip “Range Rover”, ngjyra e zezë, me targa me targa AA 594 ZF, zbret nga automjeti dhe hyn te bar “Vip Beer”. Ora 16.42′ dalin nga bar “Vip Beer”, shtetasi Aqif Konesha, së bashku me shtetasin Lefter Alla, shtetasi Aqif Konesha hipën në drejtim të automjetit tip “Range Rover”, ngjyra e zezë, me targa AA 594 ZF, kurse shtetasi Lefter Alla, hipën në sediljen e parë të automjetit.

Automjeti vazhdon lëvizjen në drejtim të Qafës së Buallit ku ndalojnë, në automjet hipën në sediljen e pasme të automjetit shtetasi Alban Konesha, vazhdojnë lëvizjen në një rrugë të dytësore me çakull, dhe më pas hyjnë në një tunel, në Qafë të Buallit.


Shtuar 21.03.2023 12:59