Moska dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë “sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov gjatë një vizite në Brazil, sot.
Në konferencën për shtyp që dha së bashku me homologun e tij brazilian Mauro Vieira, Lavrov falënderoi Brazilin për “kuptimin se si filloi situata në Ukrainë” dhe shtoi se Moska ka “interes” për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur.
Vieira tha se ai diskutoi me Lavrovin zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë si dhe çështje me interes të përbashkët. Ai gjithashtu u tha gazetarëve se ai përsëriti synimin e Brazilit për të formuar një grup vendesh për të negociuar paqen në Ukrainë , duke theksuar se vendi i tij është në favor të një armëpushimi dhe kundër vendosjes së sanksioneve të njëanshme.
Rusia ka thënë vazhdimisht se çdo zgjidhje do të duhet të marrë parasysh “realitetet” e krijuara nga aneksimi i njëanshëm i katër provincave të Ukrainës. Forcat e armatosura ruse, megjithatë, kontrollojnë vetëm pjesërisht këto provinca.
Rusia gjithashtu pretendon se u detyrua të ndërhyjë në Ukrainë shkurtin e kaluar për të mbrojtur rusishtfolësit dhe për të parandaluar Perëndimin nga përdorimi i Ukrainës për të kërcënuar sigurinë e saj. Kievi dhe Perëndimi i hedhin poshtë këto pretendime si pretekste të pabaza për një luftë pushtuese, në të cilën mijëra njerëz janë vrarë dhe shumë qytete ukrainase janë dëmtuar rëndë.