Largimi i punonjësve të policisë, Çuçi përgënjeshtron Salianjin: Nuk është e vërtetë që ikin 7 në ditë

Largimi i punonjësve të policisë është bërë temë diskutimi në parlament, gjë që çoi dhe një përplasje mes deputetit demokrat Ervin Salianji dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Salianji u shpreh se çdo ditë largohen nga 7 punonjës të Policisë së Shtetit dhe kërkoi që kjo të pranohej ose mohohej zyrtarisht nga ministria e Brendshme. Në përgjigje Çuçi tha se nuk është e vërtetë ajo çfarë deklaroi Salianji dhe se madje, ata që janë larguar kanë kërkuar të kthehen.

Pjesë nga debati:

Salianji: A po largohen 7 punonjës të ndershëm në ditë nga Policia e Shtetit? Ua thoni këtë shqiptarëve?

Çuçi: Është e kotë të ndjek gjithë këtë përçartje të vazhdueshme të kolegut Salianji sa herë bie fjala për rendin, dua të jap një përgjigje: Jo nuk largohen 7 punonjës në ditë nga policia.

Salianji: Sa largohen?

Çuçi: Jo vetëm që nuk largohen, por po rikthehen edhe punonjës të tjerë të policisë që janë larguar në një moment të caktuar. Një këshillë mos u merr me emra, por me institucionet.

Salianji: Nëse është përçartje apo jo këtë e vlerëson gjithsecili. Nëse ju jeni të përçartur si qeveri, kjo tregon se ju keni dështuar si qeveri që nga 12 mijë punonjës të përjashtoi nga Policia e Shtetit 8 punonjës. Së dyti kur ka një shqetësim publik hajdeni dhe thoni nuk është e vërtetë. Së treti kur ngrihet një shqetësim publik, po ua them prapë keni emra të punonjësve të lartë të policisë së shtetit që favorizojnë banditët. Çdo raport ndërkombëtar ju bën copë, çdo raport në marrëdhëniet tuaja me krimin, shqiptarët e kanë humbur besimin tek ju.


Shtuar 17.11.2022 23:27