Ndërhyrja për shuarjen e vatrave të zjarrit në disa zona të Delvinës dhe Finiqit po vijon pandërprerë, me angazhimin e strukturave në terren dhe të mjeteve ajrore.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se operacioni po zhvillohet në disa fshatra të këtyre zonave, ku situata është e vështirë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në përpjekjet për neutralizimin e flakëve janë përfshirë forca të shumta zjarrfikëse, efektivë të Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura dhe shërbimet vendore. Nga ajri po ndërhyjnë gjithashtu tre helikopterë.
Lamallari tha se të gjitha strukturat janë të angazhuara dhe se puna po kryhet pa ndërprerje, si në tokë, ashtu edhe nga ajri.
Ai theksoi se mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurive të kërcënuara nga zjarret mbetet prioriteti kryesor i autoriteteve.
Ministri u kërkoi banorëve të Delvinës dhe Finiqit të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së flakëve.
