Kuvendi seancë të posaçme për 25-vjetorin e Kushtetutës, Begaj: Kemi bërë hapa përpara në Reformën në Drejtësi

Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar këtë të hënë, 27 nëntor, një seancë solemne me rastin e 25-vjetorit të Kushtetutës së Shqipërisë. Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij tha se sfida e sistemit gjyqësor sot është se po përballet me një numër të lartë dosjesh që janë në shqyrtim, ndërsa theksoi se synim mbetet afrimi i drejtësisë me eficencë, barazi para ligjit e transparencë, te qytetarët shqiptarë.

Begaj: Rishikimi i Kushtetutës për shkak të zhvillimeve e realiteteve të reja duhet vlerësuar me kujdes, maturi, e ekspertizë, duke mbajtur në vëmendje të ardhmen evropianë, parimet themelore e shtyllat kryesore të saj. Sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe, për shkak të numrit të madh që gjykatat kanë në shqyrtim. Duhet të mendojmë zgjidhje sa më të shpejta dhe efektive. Synimi ynë është që drejtësia të afrohet para qytetarëve me eficencë, barazi para ligjit, transparencë. Rezultatet e saj ndihmojnë në rritjen e cilësisë ligjvënëse dhe kontrollit kushtetues.

Ndër të tjera, Presidenti tha se Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm në Reformën në Drejtësi.

Begaj: Kushtetuta e vitit 1998 është shprehje e aspiratave të popullit tonë për një Shqipëri demokratike dhe europiane, kjo kushtetutë është edhe tregues i profesionalizmit të lartë të ekspertëve tanë të mbështetur e të ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë ku një rol të veçantë ka luajtur edhe komisioni i  Venecias. Ndër vite ky komision ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për demokracinë dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Opinionet e tij të vlefshme dhe këshillimet e vazhdueshme mbi parimet kushtetuese, balancat e pushtetit pavarësia mbi gjyqësorin, zgjedhjet, drejtësia kushtetuese dhe mbrojtja e lirive themelore kanë qenë vendimtare. Shpallja e Kushtetutës së parë pas rënies së diktaturës komuniste u bë në një ditë shumë të rëndësishme më 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë, duke hedhur themelet e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë, ishte jehonë e përpjekjeve tona në shekuj për të ndërtuar një shtet modern./albeu.com


Shtuar 27.11.2023 11:10