Kuvendi miraton projektligji për punën e detyruar të studentëve të mjekësisë

Me 73 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim është miratuar në Kuvend projektligji për punën e detyruar të studentëve të mjekësisë.

Sot në Kuvend i diskutua pa prezëncën e opozitës, Projektligji “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjitshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Me 73 vota pro, mazhoranca votoi për punën e detyruar të studentëve të mjekësisë. Fillimisht u duk se studentët pas disa protestave fituan një betejë të vogël, pasi Gjykata Kushtetuese shfuqëzoi pjesërisht këtë ligj.

Kushtetuesja argumentoi se afati ishte jo proporcional, gjë që bëri që mazhoranca të ndryshonte nga 5 vite në 3 vite punën e detyruar për studentët e mjekësisë që fillojnë tani universitetin, 2 vite punë e detyruar për studentët e vitit të dytë dhe të katërt, dhe 1 vit punë për ata që janë në vitin e pestë dhe të gjashtë.

Në të kundërt, nëse studenti nuk pranon të nënshkruajë marrëveshje për të punuar në një institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, publik ose privat, nga data e lindjes të së drejtës për punësim me Ministrinë përgjegjëse për Arsimin, Ministrinë përgjegjëse për Shëndetësinë dhe institucionin e arsimit të lartë publik, paguan vlerën e plotë të kostos së studimeve që përllogaritet rreth 2400 euro viti shkollor.


Shtuar 19.09.2024 18:19